Meta: Krijimi i LRI-së, vendimi më i rëndësishëm politik që kam marrë në këto 25 vite

488
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në fjalën e mbajtur në Konventën e LRI-së deklaroi se vendimi më i mirë i marrë në këto 25 vite ishte krijimi i kësaj strukture. Meta theksoi se të rinjtë janë e ardhmja e vendit, dhe duhet të ndiqen politikat e duhura për të krijuar mundësi për të ardhmen e tyre.
“Me të drejtë jeni të lodhur edhe nga paraditja, por edhe nga provimet. Më pëlqen kur të rinjtë lodhen nga provimet se do të thotë që mësojnë shumë. Të dy kandidatët për kryetar janë studentë ekselent dhe kjo është më e rëndësishmja edhe për mua si kryetar i LSI, por kjo është edhe më e rëndësishmja për prindërit tuaj. Unë mësoj shumë nga ju.
Një nga arsyet pse unë u bëra socialist apo social-demokrat ka të bëjë me frymëzimin që kam gjetur për shkak të studimeve dhe njohurive që kam marrë para ’90 për një figurë shumë të madhe të Gjermanisë, Europës, Vili Braun, i cili përjetoi ndarjen e Berlinit, ku ishte kryetar i Bashkisë, ndarjen e Gjermanisë, ndarjen e Europës. Ai punoi për bashkimin përmes postpolitikës, që ishte politika për të rrëzuar muret. Për të rrëzuar murin e Berlinit, murin që ndante Gjermaninë, murin që ndante Europën.
Për fat të keq figura të këtyre përmasave është e vështirë t’i shohim sot, por idetë e tyre janë të fuqishme edhe sot. Edhe për Europën e cila ka nevojë për të qenë me e bashkuar, më solidare, dhe më pak egoiste. Por të kthehemi në vendin tonë, këto ide janë shumë të rëndësishme edhe për vendin tonë për të zhvilluar ura solidariteti, për t’i ofruar të rinjve tanë më shumë mundësi, dhe t’i japim fund ëndrrës për t’u larguar, dhe t’i japim krahë ëndrrës për të jetuar dhe për të punuar në vendin tonë.
Ju thoni vazhdimisht se unë jam miku juaj, unë dua t’ju siguroj sinqerisht se në këto 25 vite në politike, ju të rinjtë jeni më të mirët. Në këto 25 vite edhe unë si kushdo tjetër kam patur mjaft zhgënjime, por mendoj se vendimi më i mirë politik që ndonjëherë kam marrë në jetën time, padyshim ka qenë vendimi për të krijuar LRI”, deklaroi Meta.
Sigal