Meta-Kotzias: Interesat e përbashkëta strategjike duhet të dalin mbi çështjet e trashëguara të së shkuarës

410
Sigal

Gazeta Telegraf/

Ilir Meta: Për çështjen çame ekzistojnë qasje të ndryshme, por ne duhet të shkojmë përpara

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka nisur dje një vizitë zyrtare në Greqi
me ftesë të Presidentit të Parlamentit të Greqisë, Nikolaos Voutsis. Kryetari i
Kuvendit Meta dhe delegacioni parlamentar shqiptar që e shoqëron atë u pritën
fillimisht në një takim nga Ministri i Punëve të Jashtme,  Nikos Kotzias. Gjatë takimit Kryetari i
Kuvendit theksoi rëndësinë e avancimit të axhendës parlamentare dhe se
parlamentet janë vendet ku mblidhen të gjithë forcat politike në të dy vendet
dhe përfaqësojnë interesat e dy popujve tanë, si dhe u shpreh se interesat e
përbashkëta strategjike duhet të prevalojnë mbi çështjet e trashëguara të së
shkuarës. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit preku edhe çështjen e ligjit të
luftës dhe shprehu bindjen se abrogimi i tij do të krijonte hapësira për
çlirimin e çështjeve të tjera të mbetura pezull. Meta siguroi Ministrin e
Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias se Kuvendi i Shqipërisë mbështet avancimin e
punës mes dy qeverive për të çuar në një stad tjetër bashkëpunimin tonë dhe se
me mirëkuptim duhet zgjidhur çështjet e trashëguara.

Kryetari i Kuvendit iu përgjigj interesimit të medieve për të dhënë një
prononcim.

Z. Meta, çfarë keni diskutuar në
takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Kotzias?

Kemi diskutuar lidhur me avancimin e axhendës së përbashkët për të
forcuar më tej bashkëpunimin bilateral, i cili është mjaft i rëndësishëm për të
çuar përpara edhe interesat strategjike të përbashkëta të dy vendeve, jo vetëm
si dy vende fqinje, por edhe si dy vende anëtare të NATO-s. Si dy vende që kanë
një përgjegjësi të jashtëzakonshme për paqen , stabilitetin dhe sigurinë e
rajonit tonë. Aq më tepër tani kur sfidat janë shtuar për rajonin tonë edhe për
shkak të problemeve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Mesdheut. Në këtë
drejtim, besoj se është e qartë vullneti i dy vendeve, i qeverive, por edhe i
dy parlamenteve për të dominuar në axhendën tonë fryma pozitive e bashkëpunimit
të hapur, konstruktiv, i sinqertë dhe afatgjatë. Po kështu jam shumë dakord me
Ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Kotzias që e kaluara duhet të na shërbejë si
një mësim për të ardhmen për të mos përsëritur gabimet që kemi bërë në të
kaluarën dhe jo të shërbejë si një burg për të ardhmen.  Dhe në këtë drejtim, unë dua të vlerësoj dhe
dialogun dhe përpjekjet që bëhen edhe midis dy qeverive për t’i diskutuar në
një mënyrë konstruktive problemet e trashëguara nga e kaluara, në mënyrë që
diskutimi dhe zgjidhja me racionalitet dhe durim e tyre t’i shërbejë akoma më
shumë përshpejtimit të axhendës së përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë, e
cila do t’i sigurojë të dy vendeve një të ardhme shumë më të mirë të
përbashkët, por njëkohësisht edhe rajonale.

 

Z. Kotzias ka thënë se nuk
ekziston çështja “Çame”. I ka shkruar edhe një letër Komisionerit Hahn. Kush
është qëndrimi juaj për këtë çështje?

 

Lidhur me çështjet e së kaluarës unë besoj se të gjithë jemi dakord që
ato nuk duhet të shërbejnë si një pengesë për bashkëpunimin e gjithanshëm midis
dy vendeve. Unë besoj se ne jemi në një proces shumë pozitiv të përafrimit të
qëndrimeve për shumë çështje të ndryshme të trashëguara nga e kaluara, ku do të
doja të veçoja sidomos çështjen e rishikimit të historisë dhe të teksteve të
historisë. Sepse kjo ka të bëjë me edukimin me një frymë tjetër të fëmijëve
tanë dhe të rinjve tanë për të ardhmen, jo për të ndryshuar historinë që ka
ndodhur, por për të nxjerrë mësime nga ajo që të mos përsëritet më. Në këtë
kuadër unë besoj se për çështjen “Çame” që ju pyetët, ekzistojnë ende dy qasje
të ndryshme le të themi, por unë besoj se me durim dhe mënyrë konstruktive, ne
kemi mundësi të ecim për gjithë problemet e së kaluarës drejt një zgjidhjeje ku
përfitojnë të dy vendet tona dhe të dy popujt tanë.  Por ajo që dua të nënvizoj edhe njëherë është
se qëllimi i vizitës sonë është të nxisim akoma më tej frymën pozitive të
bashkëpunimit midis dy vendeve tona në mënyrë që të mos humbasim aspak kohë për
t’u përballur me sfidat me të cilat ndeshen të dy vendet tona, vendet e rajonit
tonë, dhe që janë vendimtare për mirëqenien e qytetarëve tanë.

 

Duke ditur qëndrimin konstant të
Greqisë përsa i përket çështjeve të kaluara, siç është ajo e Çamërisë dhe e
pronave të shqiptarëve këtu, por edhe çështjeve të mbartura siç është ajo
kufirit detar, a u diskutua në një frymë të re midis palëve?

 

Unë besoj se është koha për të gjithë faktorët politikë si në Greqi, si
në Shqipëri, për t’u përqendruar më shumë tek e ardhmja e përbashkët dhe për
t’i diskutuar në mënyrë të qetë, racionale, konstruktive të gjitha çështjet që
trashëgojmë nga e kaluara, çështje për të cilat nuk jemi ne përgjegjës. Por ne
jemi përgjegjës për të ardhmen e dy vendeve tona, dhe në këtë drejtim unë besoj
në përgjegjshmërinë dhe vullnetin pozitiv të gjithë faktorëve për t’i parë me
këtë këndvështrim edhe çështjet që trashëgojmë nga e kaluara.