Meta: Konfliktin politik ta zgjidhim një orë e më parë, po krijohet pasiguri

442
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim festiv të organizuar nga të rinjtë dhe të rejat e Lëvizjes Rinore për Integrim të Durrësit në Kepin e Rodonit. Të pranishëm ishin edhe Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, anëtarët e Kryesisë së LSI-së, Nora Malaj e Lefter Koka, etj.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, Meta tha se LSI-ja do të bëjë përpjekje maksimale për të zgjidhur konfliktin politik që vendi të ketë stabilitet dhe siguri për sipërmarrjen vendase dhe të huaj.

“Përpjekjet tona janë të palodhura që vendi të ecë i sigurt në rrugën e stabilitetit të demokracisë të forcimit të institucioneve dhe njëkohësisht edhe të forcimit të ekonomisë dhe të mirëqenies së gjithë familjeve shqiptare. Është shumë e rëndësishme që këtë konflikt absurd politik ta zgjidhim jo një ditë e më parë, por një orë e më parë. Sepse çdo orë që kalon në pasiguri dhe në drejtime të paditura, të pakontrollueshme, të pamenaxhueshme sjell më shumë pasiguri për sipërmarrjen vendase dhe për investitorët e huaj në vend dhe sjell një frenim të hapjes së vendeve të reja të punës”, tha Meta.
Ai theksoi se LSI vë interesin e vendit mbi çdo gjë tjetër, duke treguar përgjegjësi maksimale për forcimin e institucioneve dhe zhvillimi të ekonomisë.

“LSI mbi çdo interes të sajin ka vendosur dhe do të vendosë gjithmonë interesin e vendit dhe ka treguar gjithnjë përgjegjësi maksimale për të forcuar stabilitetin për të forcuar demokracinë për të forcuar institucionet. Sepse kjo është rruga që e zhvillon ekonominë tonë akoma më shpejt në mënyrë më të qëndrueshme, më të shëndetshme për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë sociale që janë ende sfida të mëdha për familjet e Shqipërisë”, deklaroi Meta.
Sigal