Meta: Kërkesën për referendumin e mbetjeve do ta shqyrtojmë në Konferencën e Kryetarëve

441
Sigal

 

Kryetari i Kuvendit,
Ilir Meta, deklaroi të enjten, se futja në rendin e dites së seancës se sotme
të kërkesës se PD-se, për mbajtjen e nje referendumi “për ligjin e mbetjeve”,
do te shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve. Pas parashtrimit të kërkesës në fjalë
nga kryetari i grupit demokrat, Edi Paloka, homologu i tij socialist, Gramoz
Ruci, kundërshtoi përfshirjen e saj për votim në rendin e ditës së séances së
sotme, duke vlerësuar se nuk ka asnjë arësye emergjente per kete dhe aq më pak
kushtetuese apo proceduriale. Ruçi i kërkoi kreut të Kuvendit që të respektojë
rregulloren e parlamentit për raste të tilla. Ndërsa kryeparlamentari nga ana e
tij tha se çështja do të diskutohet në Konferencën e Kryetarëve. Në argumentet
e parashtruara kundër kësaj kërkese të opozitës, Ruçi tha se ligji i miratuar
nuk flet për plehra. “Ju flisni për plehra kur nuk ka kaluar asnjë ligj për
plehrat, por për lëndë të parë për një industri të caktuar. Flisni për djegie e
groposje plehrash, kur ligji që kaluam nuk lejon djegie e groposje, por vetëm
riciklim. Ligji kufizon në mënyrë drastike pikat nga do te hyjnë mjetet dhe
burimet njerëzore”, iu drejtua Ruci deputetëve të opozitës. Ligji per importin
e mbetjeve, shtoi ai, vetëm se e përmirëson mjedisin dhe nuk e shkatërron atë.
“Ligji bën riciklim dhe e fuqizon industrinë e riciklimit. Ai është në shërbim
të mjedisit. Ligji po ashtu nuk i lë të falimentojnë këto biznese, ndërsa mban
në punë dhe nuk hedh në rrugë mbi 3500 persona”, theksoi kreu i grupit të
PS-së.