Meta-Ivanov: Mbështesim proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë

393
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Presidentin e Republikës së Maqedonisë z. Gjorge Ivanov me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe vunë në dukje nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi mesazhin e kësaj vizite të rëndësishme të Presidentit Ivanov në Shqipëri e cila lidhet ngushtë me rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. Në këtë drejtim z. Meta theksoi se duke punuar më ngushtë së bashku, Shqipëria dhe Maqedonia janë më konkurruese në tregjet e mëdha.
Presidenti i Maqedonisë z. Gjorge Ivanov pasi shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në Shqipëri vuri në dukje se fokusi i marrëdhënieve dypalëshe duhet të jetë ekonomia. Në këtë kuadër duhet shkurtuar distanca mes Shkupit dhe Tiranës dhe duhet shtuar fokusi në zhvillimin e mëtejshëm infrastrukturor me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të aksesit të produkteve të agro-ushqimore në tregjet reciproke. 
Presidenti Ivanov shprehu mirënjohjen për vizitën e fundit të Kryetarit të Kuvendit Meta në Komunën e Pustecit duke vlerësuar vëmendjen që po i kushtohet pakicës maqedonase dhe nevojave të saj në Shqipëri. Në këtë kuadër z. Meta dhe z. Ivanov ndanë bindjen se mes dy popujve ekzistojnë lidhje të forta miqësie dhe kulturore që kontribuojnë në cilësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në përfundim të takimit Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë në proceset e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë dhe nënvizoi se të dy parlamentet do e forcojnë më tej bashkëpunimin e tyre, në interes jo vetëm të forcimit të ndërlidhjes mes dy vendeve por edhe në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal. 
Sigal