Meta inspekton punimet për rikualifikimin e Skraparit: Përfshirja në projektin TAP, arritje historike

487
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta inspekton punimet
për  rikualifikimin urban të Bashkisë së
Skraparit. Viziton edhe panairin e produkteve ushqimore

 Z. Meta: Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në
1912-n e deri më sot, përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga
arritjet më të mëdha historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga
hartat energjetike të Europës

 Z. Meta: Projekti TAP mund të realizohej edhe pa kaluar
përmes Shqipërisë. Është bërë një përpjekje e madhe që Shqipëria të përfshihej
në këtë projekt.

 Z. Meta: Jemi shumë të kënaqur që është rritur mundësia
për t’u punësuar dhe natyrisht që në këto vite kjo mundësi e shkëlqyer në radhë
të parë i dedikohet projekteve mbështetëse për realizimin e TAP-it

 Z. Meta: Projekte të rëndësishme për zhvillimin e
turizmit kanë filluar të cilat do ta kthejnë Skraparin gjithnjë e më shumë në
një nga destinacionet më të dashura për të gjithë turistët vendas dhe të huaj

 

Gazeta Telegraf/

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ishte sot në qytetin e Çorovodës ku
inspektoi punimet për rikualifikimin urban të Bashkisë, një investim i Fondit
të Zhvillimit të Rajoneve si dhe i “Fondacionit Besa”.

Në këtë vizitë, z. Meta shoqërohej
nga Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu, Drejtori i Fondit “Besa”
z. Bajram Muça, Drejtori i Përgjithshëm i Projektit TAP, z. Ian Bradshaw si dhe
deputetë të Qarkut të Beratit.

 Z. Meta mori pjesë dhe në përurimin
e një ure dhe në rikonstruksionin e disa rrugëve të ndërtuara falë projektit
TAP të cilat do të rrisin më tej komunikimin dhe do t’u vijë në ndihmë
qytetarëve të kësaj zone.

Më pas, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në panairin e
produkteve ushqimore të Skraparit, të kthyer tashmë në një event tradicional.

Në fjalën e shkurtër përshëndetëse të mbajtur gjatë ceremonisë hapëse të
këtij aktiviteti, z. Ilir Meta shprehu bindjen se me politikat e institucioneve
shtetërore dhe të punës së vetë fermerëve, produktet e zonës do të arrijnë që
të sigurojnë tregje të reja.

“Shpresojmë që këto produkte të gjejnë sa më shumë treg kudo jo vetëm
brenda vendit, por edhe jashtë tij. Jam i bindur që me politikat që ne po
ndjekim, por edhe me punën tuaj, edhe me mbështetjen e Bashkisë së Skraparit,
vitin tjetër panairi do të jetë akoma më i suksesshëm dhe do të demostrojë një
rritje të mëtejshme të prodhimit tradicional të produkteve bio të Skraparit”,
tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u ndal dhe në projektin TAP, zbatimi i të cilit ka
dhënë një impakt tepër të madh edhe në zonat ku ai kalon, siç është
Skrapari.
  

“Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në 1912-n e deri më sot,
përfshirja e vendit tonë në projektin TAP është një nga arritjet më të mëdha
historike, sepse i jep fund përjashtimit të Shqipërisë nga hartat energjetike
të Europës. Përfshirja në projektin TAP e vendos Shqipërinë si një qendër shumë
e rëndësishme e këtyre lidhjeve të cilat kanë impakte kontinentale.  E theksoj këtë sepse projekti TAP mund të
realizohej edhe pa kaluar përmes Shqipërisë. Është bërë një përpjekje e madhe
që Shqipëria të përfshihej në këtë projekt. Tani që sapo ka filluar, kur ende
duhet një punë e madhe për ta përfunduar këtë projekt, po e kuptoni se ky
projekt  po ndihmon për të ndryshuar për
mirë edhe jetën e komunitetit tuaj këtu dhe kudo ku TAP-i po kalon nëpër
Shqipëri”, tha z. Meta.

Kryetari Meta theksoi se falë këtij projekti po realizohen shumë investime
për të cilat çdo qeveri do ta kishte të vështirë që t’i bënte në Skrapar pasi
nuk është e lehtë të bësh investime publike sidomos në zona të thella dhe të
vështira ku kosto e këtyre investime është mjaft e lartë dhe ku numri i
banorëve është relativisht i ulët.

“Unë pata kënaqësinë sot, bashkë me përfaqësuesit e nderuar të TAP-it, me
kryetarin e bashkisë dhe me shumë miq të tjerë që na kanë nderuar, të inaugurojmë
rrugën pranë Spitalit, urën pranë spitalit, të shohim shumë projekte të tjera
të cilat po ndihmojnë në transformimin Çorovodës dhe të gjithë Skraparit. TAP
do të ndihmojë  këto projekte edhe në të
gjithë bashkitë dhe rrethet e tjera ku po kalon dhe do të kalojë nëpër
Shqipëri”, tha z. Meta.

Gjatë fjalës së tij, z. Ilir Meta vlerësoi angazhimin dhe përpjekjet e
vazhdueshme të Kryetarit të Bashkisë z. Nesim Spahiu për implementimin e projekteve
të ndryshme me qëllim rritjen e mirëqenies.

“Nesimi është një bekim tjetër që i ka dhënë Çorovodës dhe Skraparit. E
vërteta është që pa Nesim Spahiun ne nuk do të kishim bërë dot shumë projekte.
Ne nuk do të kishim ndjekur shumë çështje të rëndësishme. Ndaj unë i uroj atij
dhe gjithë stafit të vazhdojnë me këtë përkushtim dhe me këtë dashuri dhe jam i
bindur se vitin tjetër do të jetë akoma një mundësi e shkëlqyer për të parë se
sa shpejt mund të bëhen ndryshimet, qoftë edhe në një vit të vetëm. Unë kisha
disa muaj pa ardhur në Skrapar dhe e ndjeva se ndryshimet këtu kanë një ritëm
të mrekullueshëm dhe do të donim që ky ritëm ndryshimesh të jetë kudo në të
gjithë Shqipërinë dhe të ndjehet nga të gjithë”, tha z. Meta.

 Duke vlerësuar projektin TAP si një mundësi e shkëlqyer për rritjen e
punësimit dhe të ekonomisë, z. Meta garantoi se projekte të tjera të
rëndësishme kanë filluar për ta kthyer Skraparin edhe në një nga zonat më të
frekuentuara nga turistët.

“Jemi shumë të kënaqur që është rritur mundësia për t’u punësuar dhe
natyrisht që në këto vite kjo mundësi e shkëlqyer në radhë të parë i dedikohet
projekteve mbështetëse për realizimin e TAP-it, por ndërkohë ne duhet të
mendojmë edhe për aktivitete të tjera që do të garantojnë një punësim afatgjatë
këtu në Skrapar. Njëkohësisht projekte të rëndësishme për zhvillimin e turizmit
kanë filluar dhe ne vizituam disa prej tyre të cilat do ta kthejnë Skraparin
gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet më të dashura për të gjithë
turistët vendas dhe të huaj. Ndaj uroj të gjithë fermerët e Skraparit të cilët
kanë kontribuar për realizimin e këtij panairi dhe të cilët i bëjnë marketingun
më të mirë Skraparit kudo me prodhimet e tyre cilësore”, deklaroi Kryetari i
Kuvendit, z. Ilir Meta.

 

Kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu vlerësoi produktet
bujqësore të zonës dhe garantoi se investimet e kryera do të përmirësojnë edhe
më tej jetën e qytetarëve.

“Prodhimet bujqësore të Skraparit prej kohësh kanë krijuar identitetin e
tyre si produkte origjinale bio, gjë që ka mundësuar që kërkesa ndaj këtyre
produkteve të shtohet. Skrapari nga një zonë e largët, periferike, me mungesë
investimesh, me një nivel papunësie të lartë, brenda një harku kohor të
shkurtër është shndërruar në një kantier ndërtimesh ku po implementohen
projekte me rëndësi strategjike si projekti TAP, por dhe projekte në fushën e
turizmit dhe në infrastrukturë. Të gjitha këto projekte si dhe investimet e
kryera nga biznesi privat kanë patur impaktin e tyre pozitiv në zhvillimin e
zonës, uljen e ndjeshme të papunësisë dhe rritjen e ndjeshme të mirëqenies”,
tha z. Spahiu.

 

Drejtori i Fondacionit “Besa”, z. Bajram Muça shprehu kënaqësinë për
financimin e disa projekteve në këtë zonë, ndërsa u kërkoi prodhuesve që të
orientohen drejt atyre prodhimeve që kërkohen dhe nga tregjet e huaja duke
rritur në këtë mënyrë edhe të ardhurat.

“Është kënaqësi në fakt që të financojmë disa projekte në Çorovodë. Është
kënaqësi që marr pjesë në këtë panair ku bashkohen prodhues dhe blerës, dhe pse
jo edhe grumbullues. Zona e Skraparit ka traditë me prodhimet bujqësore dhe
blegtoriale, traditë që duhet ta mbajmë, ta zhvillojmë, por edhe të shikojmë
mundësinë për prodhimet bashkëkohore, të cilat duhet të gjejnë jo vetëm tregun
vendas, por edhe të huaj. Mirëqenia rritet edhe më shumë duke i bashkuar
prodhuesit, duke prodhuar të gjitha ato prodhime të cilat sot kërkohen nga
tregjet e huaja në funksion të rritjes së mirëqenies”, tha z. Muça.

Drejtori i Përgjithshëm i Projektit TAP, z. Ian Bradshaw tha se nga
rinovimi i infrastrukturës si pasojë e projektit TAP, përfitojnë më shumë se
200 mijë persona.

“Ndërtimi i një ure bashkon dy anë dhe inaugurimi i sotëm i urës së
Çorovodës është një shembull i shkëlqyer i dy anëve që po bashkohen.
Bashkëpunimi i fortë, i afërt dhe i vazhdueshëm i TAP-it me autoritet shqiptare
është një pjesë për të cilën ne jemi jashtëzakonisht shumë mirënjohës. E
shfrytëzoj këtë rast për të falenderuar palët shqiptare të interesit që kanë
bashkëpunuar ngushtësisht për të identifikuar ato projekte strategjike për të
cilat do të përfitojnë më së shumti komuniteti vendase. Ura e Çorovodës është
një prej këtyre projekteve strategjike. Tani më shumë se 94 për qind e
infrastrukturës është rinovuar. Infrastrukturat e rinovuara do të jenë në dobi
të më shumë se 200 mijë personave”, tha z. Ian Bradshaw.