Meta i jep shtetësinë shqiptare Janullatosit

615
Presidenti i Republikës vlerëson kreu e Kishës Ortodokse për kujdesin ndaj arsimimit dhe përgatitjen e brezit të ri të klerikëve shqiptarë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vendosi t’i japë shtetësinë shqiptare Anastas Janullatosit, duke i dhënë fund një kërkese dhe debati shumëvjeçar për kreun e Kishës Ortodokse. Në prag të Krishtlindjeve, presidenti publikoi vendimin e tij dhe iu drejtua me një mesazh Fortlumturisë së Tij, duke vlerësuar edhe kontributin e dhënë ndër vite për arsimimin e përgatitjen e brezit të ri të klerikëve shqiptarë. 

Letra e Metës për kryepeshkopin
Fortlumturi,
Kremtimi i festës së Lindjes së Krishtit, më jep gëzimin e madh t’ Ju uroj nga zemra, Juve dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë Gëzuar Krishtlindjet! 

Uroj që kjo festë e bukur e Krishterimit, e cila mishëron njëkohësisht vlera hyjnore dhe njerëzore, të sjellë më shumë shpresë, lumturi e qetësi, dashuri e besim, harmoni e mirëkuptim dhe të forcojë më tej paqen në familje e në shoqëri, mes njerëzve e mes popujve, si kusht i domosdoshëm i begatisë së shoqërisë dhe përparimit të njerëzimit. Në këtë ditë të bekuar për besimtarët e krishterë dhe për të gjithë shqiptarët, vlerat e tyre të veçanta të besimit, trashëgimia e harmonisë dhe tolerancës së shkëlqyer ndër-fetare, na bëjnë më të vetëdijshëm e njëkohësisht krenarë për këtë pasuri shpirtërore e njerëzore dhe rëndësinë e dimensionin e saj të patjetërsueshëm e të pazëvendësueshëm.

Kjo vlerë e pasuri shpirtërore unike, historike dhe kombëtare e popullit tonë është trashëguar dhe është ruajtur, kultivuar e përcjellë brez pas brezi falë mundit, sakrificës, përpjekjeve, përkujdesjes dhe ndjenjës së lartë të përgjegjësisë e detyrimit të besimit të fortë shpirtëror të udhëheqësve të besimeve fetare të shqiptarëve. 

Jam i lumtur të pohoj se Fortlumturia Juaj i përket pikërisht këtyre udhëheqësve të nderuar të besimeve fetare të popullit shqiptar. Gjatë 25 viteve si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke kontribuar me përkushtim në ringritjen e plotë kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rimëkëmbjen dhe ngritjen e objekteve të besimit ortodoks, në ringjalljen, kultivimin dhe ruajtjen e traditës shumëshekullore të besimit ortodoks në Shqipëri dhe në ndërtimin e veprave në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, zhvillimit rural, kulturës dhe mjedisit në Shqipëri, keni dëshmuar se udhëhiqeni nga besimi, dashuria, paqja, shpresa dhe mësimet e veprat e shenjta të Zotit.

E kam ndjekur me vëmendje aktivitetin Tuaj të palodhur ndërkombëtar, vizitat në Vatikan dhe në vende të shumta të botës, duke i shërbyer jo vetëm njohjes ndërkombëtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, por veçanërisht përhapjes, përtej kufijve të Shqipërisë, të vlerave e pasurisë së harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar. 

Përkushtimi Juaj shembullor shpirtëror dhe kontributi juaj gjatë këtyre viteve, është vlerësuar me të drejtë me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Korçës dhe Durrësit dhe me urdhrin e lartë të Presidentit “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për kontributin e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe forcimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare të popullit shqiptar. Çmoj e shpreh mirënjohje, veçanërisht për ndihmën Tuaj dhe të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj vëllezërve tanë nga Kosova, gjatë krizës së rëndë humanitare të vitit 1999. 

E vlerësoj lart kujdesin dhe vëmendjen që keni treguar për arsimimin dhe përgatitjen e brezit të ri të klerikëve shqiptarë dhe krijimin e qendrave rinore në qytete e fshatra të ndryshme, duke ruajtur kështu trashëgiminë e çmuar shqiptare të këtij besimi dhe identitetin e tij, larg influencave, tendencave dhe ndikimeve të huaja, të padobishme dhe të rrezikshme për bashkësinë shqiptare ortodokse dhe për vetë popullin shqiptar. 

Fortlumturia Juaj,
Në këtë ditë të bekuar të Krishtlindjeve, jam shumë i lumtur t’ Ju bëj me dije se kam marrë vendimin, edhe në vijim të vullnetit Tuaj “…për të vërtetuar lidhjen e pandashme me vendin që doni sinqerisht dhe i shërbeni me vetësakrifikim…”, t’ Ju jap shtetësinë shqiptare, nëpërmjet Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Nr. 10700, të datës 22 dhjetor 2017. Duke shprehur bindjen time se ky veprim, jo vetëm përmbush një detyrim institucional, por është edhe shprehje e mirënjohjes ndaj Jush dhe aktivitetit e përkushtimit Tuaj shpirtëror në Shqipëri, Ju uroj sërish Juve, besimtarëve ortodoksë, të krishterë e të gjithë shqiptarëve, të kalojnë Krishtlindje të bukura, të gëzuara dhe të lumtura dhe lutjet e kësaj ditë të shenjtë të sjellin më shumë paqe, dashuri, harmoni e mirëkuptim jo vetëm mes nesh, por edhe mes të gjithë kombeve të botës.

Me respekt, 
Ilir Meta
Sigal