Meta: Fitorja në Vorë, do të jetë fitorja më e thellë në gjithë Shqipërinë

138
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në mori pjesë në një takim madhështor në Marikaj, pjesë e Bashkisë së re të Vorës në mbështetje të kandidatit të ASHE, z. Luan Sallaku. Në fjalën e tij Meta shprehu bindjen për fitoren e thellë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe të kandidatit Luan Sallaku në 21 qershor.
“Ne do të fitojmë dhe do të jetë fitorja më e thellë në të gjithë Shqipërinë, fitorja në bashkinë e re të Vorës. Këtu ku mundësitë për punësim kanë qenë dhe janë të jashtëzakonshme, ashtu siç ju i keni produktet tuaja që prodhoni bio, edhe ne votat i duam vetëm bio në 21 qershor. Ne nuk duam 4 vjet, ne duam të na provoni 2 vjet deri në 2017. Nuk do të masakrohen më të gjithë ata që kanë investuar dhe që duan të investojnë në Vorë. Përkundrazi, të investojnë, por vetëm një kusht kemi ne për ata, që të parët që do të punësohen do të jenë nga komuniteti i Vorës. Ky është i vetmi kusht. Ne do të hapim shkolla profesionale. Edhe përsa i takon industrisë, edhe për sa i takon bujqësisë dhe agroturizmit. Në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të marrin formimin e duhur profesional për të bërë me aftësi një punë ecila do t’u garantojë mirëqenien dhe begatinë e familjes”, tha Meta.
Kryetari Meta tha se koalicioni i majtë do e kthejë Vorën në modelin më të shkëlqyer në Shqipëri të transformimit të ndryshimit të shërbimit ndaj komunitetit dhe të punësimit të çdo banori.“Populli do punë dhe ne do t’i japim punë çdo banori të Vorës. Të rinjtë duan formim profesional dhe ne do t’i japim formim profesional çdo të riu këtu në Vorë. Ne kemi vetëm një interes për Vorën, për Bashkinë e re të madhe të Vorës që ta kthejmë në modelin më të shkëlqyer në Shqipëri të transformimit, të ndryshimit të shërbimit ndaj komunitetit dhe të punësimit të çdo banori të Vorës. Kjo është arsyeja që do të votohet ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’, koalicioni strategjik PS-LSI. Luan Sallaku është një djalë i këtij komuniteti, është një njeri jashtëzakonisht punëtor, një administrator shumë i mirë, është një njeri bashkëpunues, është një njeri modest dhe është një njeri i cili do të punojë me ju çdo ditë dhe ne bashkë me të dhe me të gjithë komunitetin tuaj. 
Në qoftë se deri më tani kam ardhur një herë në ditë në Vorë kur kam pasur mundësi, ju jap fjalën se pas 21 qershorit, do të vij dy herë në ditë në Vorë. Do vij që të mbajmë premtimet. Sfida jonë është shumë e thjeshtë. Ky është transformimi që ne duam të sjellim në Vorë. Asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë gra në Vorë, asnjëherë nuk janë mbledhur kaq të rinj dhe të reja në Vorë. Është një optimizëm që vjen nga energjia pozitive që ne të gjithë bashkë kemi zgjuar nga komuniteti i Vorës. Bashkë do të bëjmë punë të mrekullueshme të cilat do të rrisin mirëqenien dhe begatinë e komunitetit tuaj dhe do të garantojnë të ardhme të lumtur për fëmijët e tyre”, deklaroi Meta.