Meta: Fitorja në 21 qershor në të gjithë Shqipërinë do të jetë e jashtëzakonshme

443
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një miting madhështor në Rrajcë të Prrenjasit në mbështetje të kandidates së “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, znj. Miranda Rira. Në fjalën e tij Meta shprehu bindjen në fitoren e znj. Miranda Rira në zgjedhjet e 21 qershorit, ndërsa vlerësoi maksimalisht kandidaturën e saj.
“Patjetër ne do të fitojmë sepse ne kemi kandidaten më të mirë Miranda Rirën që është vajza juaj. Miranda la mandatin e deputetes duke e bërë në emër të dashurisë që ka për Rrajcën, që ka për gjithë zonën e saj për të marrë mandatin e kryebashkiakes së Bashkisë së re të Prrenjasit në mënyrë që ta shndërrojë Bashkinë e re të Prrenjasit me mbështetjen tuaj në 21 qershor dhe me mbështetjen tonë të jashtëzakonshme duke filluar nga 22 qershori, në një shembull të qeverisjes vendore në të gjithë vendin. Dhe unë kam besim të plotë se Miranda me aftësitë e saj, me njohuritë e saj, me diturinë e saj, me eksperiencën e saj, por edhe me këmbënguljen e jashtëzakonshme që ajo ka dhe që i çon gjërat deri në fund, do të arrijë që tëmenaxhojë dhe të administrojnë në mënyrë më të mirë dhe më të shkëlqyer në interes të komunitetit tuaj, Bashkinë e re të madhe të Prrenjasit. Mbështetja jonë do të jetë e jashtëzakonshme dhe unë vetë bashkë me Taulantin, me Edmondin, me doktor Bujarin e me të gjithë do të trokasim derë më derë, institucion më institucion për të mbështetur projektet për Prrenjasin, për Rrajcën, për Qukësin, për Stravajn, për të gjithë bashkinë e re të madhe të Prrenjasit”, tha Meta.
Më tej ai tha se fitorja e jashtëzakonshme dhe populli i shkëlqyer i Rrajcës dhe i Prrenjasit e ka ditur drejtimin e duhur me kohë, jo tani që drejtimin e duhur nuk ka ngelur bashki, qytet e fshat në Shqipëri anembanë pa e gjetur.“Ju jeni njerëz punëtor, ne zgjohemi herët ta fillojmë ditën mbarë, kështu që ne do të votojmë për njerëzit e punës dhe Miranda është njeriu i punës. Por ne duam një fitore shembullore në Rrajcë dhe kjo është edhe për krenarinë dhe për dinjitetin tuaj sepse dihet që Miranda është vajzë e Rrajcës, por mos harrojmë që çdo votë më shumë për Mirandën është një detyrim i saj dhe i yni më shumë për t’u shërbyer me më shumë përkushtim, për t’ju ofruar më shumë shërbime dhe për të punuar për punësimin e gjithë këtyre të rinjve dhe të rejave këtu. Prandaj në 21 qershor, asnjë të mos qëndrojë në shtëpi. Të gjithë tek kutia e votimit, të gjitha votat e Rrajcës vetëm për një emër, përMiranda Rirën”, tha z. Meta duke shtuar se fitorja në Bashkinë e Prrenjasit do të jetë një nga fitoret me të cilat të gjithë do të krenohen në 22 qershor. “Fitorja do të jetë e jashtëzakonshme në 21 qershor në të gjithë Shqipërinë dhe unë besoj shumë që fitorja në Rrajcë në mënyrë të veçantë, por edhe në Bashkinë e Prrenjasit, do të jetë një nga fitoret me të cilat ju dhe ne të gjithë do të krenohemi në 22 qershor, kur e gjithë Shqipëria të festojë fitoren e kandidates të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Rroftë populli i mrekullueshëm i Rrajcës! Të gjitha votat në 21 qershor vetëm për një emër, për Miranda Rirën! Fitore!”, tha z. Meta. 
Nga ana e saj, kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, znj. Miranda Rira prezantoi programin e saj për drejtimin e Bashkisë së Prrenjasit ku në fokus do të jetë rritja e punësimit. “Ne kemi krijuar një program të qartë, një program ambicioz, një program konkret se si do t’i japim Bashkisë së re të Prrenjasit një profil tjetër dhe një fytyrë tjetër. Është një platformë ekonomike e cila në qendër të saj do të sjellë më shumë shërbim dhe më shumë punësim. Një platformë e cila ngrihet mbi disa projekte konkrete që lidhet me punësimin e grave, me punësimin e të rinjve, me punësimin e atyre që kanë me vite të tëra pa u regjistruar gjëkundi. Prandaj dhe programi ynë është një program për më shumë mirëqenie sociale dhe për më shumë mirëqenie ekonomike”,  tha znj.Rira.
Sigal