Meta firmosi dekretin/ Kush është Bardhyl Kollçaku që mori gradën madhore “Gjeneral Brigade”

2030
Presidenti Ilir Meta ka firmosur dekretin e parë të tij që kur mori këtë detyrë. Ditën e sotme, presidenti Meta i ka dhënë gradën madhore ‘Gjeneral Brigade’, kolonelit Bardhyl Kollçaku.
DEKRET PËR DHËNIE GRADE MADHORE
Në mbështetje të nenit 92, gërma “d”, dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqiperisë, si dhe të pikës 3, germa “a”, të nenit 9, të ligjit 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të RSH”, i ndryshuar, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes,
Dekretoj
Neni 1
Kolonel Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU me detyrë “Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes” në Ministrinë e Mbrojtjes”, i jepet grada madhore “Gjeneral Brigade”.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjeherë.
Nr. i Dekretit 10594
Tiranë, më 31.07.2017
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Kush është Bardhyl Kollçaku
Kolonel Bardhyl Kollçaku ka marrë detyrën e drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Mbrojtjes në datën 8 janar 2016, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në strukturat e Forcave të Armatosura, deri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA.
Ai ka qenë edhe Atashe ushtarak i Forcave të Armatosura jashtë vendit
 
CV 
GJENERAL BRIGADE BARDHYL MYRTEZA KOLLÇAKU
Kolonel Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, ka lindur më datë 05.06.1967, në Berat. 
Ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Zbulim”, në vitin 1990. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer Kolegjin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, në Shqipëri; Kolegjin e Shtabeve te Bashkuara ne SHBA; Kolegjin e Komandës dhe Shtabit, në SHBA; Kursin Themelor të Oficerit të Shtabit, në Shqipëri; përfunduar Master Shkencor, në Administrim Publik, në Shqipëri; kam mbrojtur Doktoraturën në fushën e mbrojtjes, pranë Akademisë se Mbrojtjes, Tirane; Kursin e Larte Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, ne SHBA; Kursin Ekzekutiv te Sigurisë ne Qendrën Marshall; Kursin Ndërkombëtar të Oficerit për Taktikë dhe Inteligjencë në SHBA; Kursin e Shërbimit Informativ, në Shqipëri; Kursin Special për Oficerin e Zbulimit”, në Turqi; si dhe “Kursin e Forcave Speciale”, në Shqipëri. 
Kolonel Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, ka kryer detyra të ndryshme si: “Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”, “Drejtor i Drejtorisë së Politikave Strategjike, në Ministrinë e Mbrojtjes”, “Drejtor i Integrim-Koordinimit PfP”, në SHAPE, NATO, “Shef Kabineti, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ”, “Komandant i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, në Brigadën e Reagimit të Shpejtë”, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.
Kolonel Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, është graduar me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr. 1730, datë 23.09.2010 “Për dhënie grade Kolonel”.
Kolonel Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, me Urdhër të Ministrit të Mbrojtjes nr.2078, datë 29.12.2015, është emëruar në detyrën “Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”. 
Kolonel KOLLÇAKU është vlerësuar me medalje te ndryshme për arritje gjate karrierës se tij ushtarake.
Kolonel KOLLÇAKU flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Sigal