Meta dhe Bushati takojnë Roth: Mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën e Gjermanisë

536
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati pritën dje Ministrin e Shtetit për Evropën të Republikës Federale të Gjermanisë, Michael Roth. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të Gjermanisë për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar se Kuvendi është i fokusuar në përmbushjen e prioriteteve të BE-së dhe në garantimin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Ministri i Shtetit, Michael Roth vlerësoi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria duke e cilësuar atë si një sinjal për arritjet pozitive të vendit. Bushati në fjalën e tij ka theksuar se politika e Jashtme e Shqipërisë është në funksion të perspektivës të shpejtë evropiane të të gjitha vendeve të rajonit dhe stabilitetit të tij.“Diskutuam edhe për sa i përket situatës në rajonin tonë, politikës së jashtme në rajon, ndjekur nga Shqipëria, në adresimin e disa sfidave të cilat janë të rëndësishme, jo thjesht për stabilitetin demokratik në rajon, por edhe në funksion të perspektivës sa më të shpejtë evropiane të të gjitha vendeve të rajonit”,- tha Bushati. Ministri gjerman, Roth ka deklaruar se mbështetja e vendit të tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor është një proces i solidaritetit dhe i partneritetit të ngushtë. Ai ka inkurajuar politikën shqiptarë që të vijojë reformat e nisura në ato pika të rekomanduara më herët nga BE.