Meta dekreton 3 ambasadorët në organizatat ndërkombëtare

441
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ish-kreun e shërbimit sekret, Visho Ajazi Lika, si ambasador në NATO. Pak ditë më parë ai liroi nga kjo detyrë, Leonard Demin. “Dekretoj z. Visho Ajazi Lika emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në NATO, rezident”, thuhet në dekretin e firmosur nga Meta, i cili edhe e dekoroi Visho Ajazin pak javë më parë. Gjithashtu, Kreu i Shtetit ka emëruar Albana Dautllarin si ambasadore në misionin e përhershëm në Strasburg pranë Këshillit të Evropës, dhe Igli Hasanin ambasador pranë misionit të OSBE-së në Vjenë. Tre ambasadorët e dekretuar janë të parat lëvizje të rëndësishme në diplomaci prej nisjes së mandatit të Presidentit në muajin korrik. Dy prej tyre, Hasani dhe Dautllari, janë shfaqur edhe publikisht në Komisionin parlamentar të Politikës së Jashtme për të marrë edhe vlerësimin e deputetëve pas propozimit të ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit. Në zyrën e Presidentit të Republikës mbetet ndërkohë në pritje projekt-dekreti për emërimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Për këtë post, kryeministri Rama ka propozuar Helidon Bendon, ndërsa Presidenti ka deklaruar se është në shqyrtim të kësaj kandidature. “Duhet të kemi në konsideratë se një vendimmarrje e tillë është shumë e rëndësishme, e cila kërkon kohë. Presidenti duhet të jetë i bindur se një vendimmarrje përfundimtare siguron një institucion kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare”, u shpreh Kreu i Shtetit vetëm pak ditë më parë. 
Sigal