Meta dekoron Visho Ajazi Likën: SHISH bëri detyrën me patriotizëm

471
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi ish-drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Presidenti Meta vuri në dukje rolin e Visho Ajazi Likës, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe në veçanti, në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës, fenomene e sfida jetike që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare. Gjatë ceremonisë, Kreu i Shtetit theksoi se Shërbimi Informativ ka bërë detyrën e tij me përgjegjshmëri dhe patriotizëm dhe në kushte mjaft të vështira, shpesh edhe nën presionin e politikës. “Forcimi i pavarësisë, integritetit dhe profesionalizimit të Shërbimit Informativ Shtetëror është domosdoshmëri për të forcuar, jo vetëm stabilitetin e sigurisë kombëtare të vendit, por edhe për të forcuar aftësitë e Shqipërisë për të eksportuar në vendet fqinje dhe partnere më shumë siguri e sa më pak problem”, theksoi Presidenti i Republikës. Visho Ajazi Lika dha dorëheqjen dy muaj më parë nga drejtimi i shërbimit sekret, ndërsa është dekretuar si ambasador i Shqipërisë në NATO. Gjithashtu, kryeministri Rama ka propozuar në detyrën e drejtorit të SHISH-it, Helidon Bendon, i cili mban aktualisht postin e zv/drejtorit. Presidenti Meta ende nuk është shprehur për këtë propozim të kryeministrit, ndërsa në bazë të Kushtetutës ai nuk ka një afat të përcaktuar për vendimin e tij.
Sigal