Meta: Bujqësia, mundësi për rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik

588
Kryetari i Kuvendit inauguron qendrën e re të grumbullimit të produkteve në Cërrik. Vlerësim edhe për marrëdhëniet me Italinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në inaugurimin e qendrës së re të grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore në Cërrik. Një projekt i realizuar në bashkëpunim mes Bashkisë së Cërrikut dhe Programit Italo-Shqiptar IADSA. Të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo dhe kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska.

Pasi u njoh me qendrën e re, që pritet të japë një impakt të menjëhershëm për fermerët e zonës së Sulovës, Mollasit dhe Klosit, kryetari i Kuvendit u shpreh se ky investim do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj zone. “Bashkia e re e Cërrikut ka një avantazh të jashtëzakonshëm për zhvillimin e disa degëve të rëndësishme e në mënyrë të veçantë të bujqësisë dhe agro-përpunimit, industrisë, të turizmit. Jam i sigurt se ky investim që është realizuar e që shumë shpejt do të bëhet operacional do t’i japë një hov zhvillimit të prodhimit bujqësor në të gjitha zonën tuaj. Do të bëjë të mundur që të rriten të ardhurat e familjeve të Sulovës dhe të gjithë Bashkisë së Cërrikut dhe njëkohësisht do të bëjë të mundur që produktet tuaja të njihen akoma më mirë edhe në tregjet ndërkombëtare”, tha Meta, teksa shtoi se garanci për këtë është partneriteti i bashkisë me sipërmarrësit e suksesshëm që garantojnë në një kohë të shpejtë grumbullimin e këtyre prodhimeve dhe njëkohësisht shitjen e tyre. 

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit shprehu edhe një falënderim të veçantë për Italinë, për ambasadorin Cutillo dhe të gjithë ekipin që ka ndihmuar për këtë projekt, por edhe për projekte të tjera që ndihmojnë komunitetet anembanë vendit, jo vetëm në Cërrik. 

“Ne duhet të bëjmë që nga kjo qendër të shpërndahet edhe fara e sigurt, edhe fidanët e sigurta për fermerët me garancinë që kur produkti të realizohet do të blihet në këtë qendër në mënyrë që t’i japim fund eksperimenteve, dështimeve që u ndodhin fermerëve tanë, duke marrë ndonjëherë edhe fara të pasigurta apo duke mbjellë edhe produkte jo të përshtatshme e jo me leverdi që kërkon tregu. Kjo është rruga e përftimit maksimal për atë punë, për atë mundim që fermerët tanë i japin bujqësisë dhe në këtë mënyrë do të jetë një kontribut i jashtëzakonshëm për të rritur mirëqenien, jo vetëm të banorëve të kësaj zone, por edhe për rritur ekonominë e Bashkisë së Cërrikut edhe ekonominë tonë kombëtare”, tha Ilir Meta. 

Ambasadori italian, Alberto Cutillo, u shpreh se ky investim është fryt i bashkëpunimit të madh mes Italisë dhe Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në sektorin e bujqësisë. “Në mënyrë më të përgjithshme për zhvillimin e resurseve natyrore të këtij vendi të bukur, resurse që mund të krijojnë një rritje ekonomike, si për sa i përket bujqësisë dhe turizmit të qëndrueshëm. Janë potenciale të mëdha dhe Shqipëria është duke i shfrytëzuar dhe Italia ndjehet e nderuar që po merr pjesë në këtë proces. Për të pasur një bujqësi me cilësi dhe sasi të rëndësishme, dimensioni i sipërmarrjes mund të ketë limite. Për t’i tejkaluar këto limite është mirë që fermerët të bëhen bashkë dhe së bashku të ofrojnë shërbime, që i bëjnë produktet e tyre më të njohura në botë”, theksoi Cutillo, i cili falënderoi gjithashtu edhe kryetarin e Kuvendit për vëmendjen me të cilin ndjek raportet mes Shqipërisë dhe Italisë, zhvillimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha sferat.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, i shprehu mirënjohjen e tij qeverisë italiane për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetjen e ndërtimit të kësaj qendre të rëndësishme të grumbullimit të prodhimeve bujqësore të zonës. “Kjo mirënjohje është edhe simbolika dhe treguesi më i mirë i suksesit të bashkëpunimit që kemi pasur me qeverinë italiane në mbështetje të bujqësisë në ato që ne i konsiderojmë avantazhe konkurruese e krahasuese. Ndërtimi i kësaj qendre është perspektiva reale, që u jepet prodhimeve të zonës për t’u lidhur me tregun. Kjo qendër orienton fermerët për t’u përqendruar tek ato kultura bujqësore, që kërkohen nga tregu, për të profilizuar bujqësinë e zonës, për të shkuar në sinkron me atë dokument që Ministria e Bujqësisë e ka ndërtuar që në fillim të mandatit të saj: rajonalizimin e produkteve, kultivimin e atyre prodhimeve për te cilat kjo zone ka avantazhe konkurruese dhe krahasuese”, tha Panariti.
Koka: Projekt me Kosovën për shmangien e ndotjes në liqenin e Fierzës
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, zhvilloi një takim me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Ferat Shala. Palët vlerësuan marrëdhëniet institucionale si mjaft të mira, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në shkëmbimin e eksperiencave midis dy vendeve tona, në fushën e pyjeve dhe bashkëpunimin midis dy Agjencive Kombëtare të Mjedisit.

Ministri Koka theksoi se mjedisi është një prioritet që nuk pret dhe se dëmet e të shkuarës duhen rikuperuar me plane konkrete me qëllim rritjen e cilësisë së jetës dhe shëndetit të qytetarëve, konform edhe memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar midis dy palëve në qershor 2016.

Duke sjellë në vëmendje të homologut të tij situatën që krijohet vazhdimisht nga mbetjet që sjell lumi Drin në liqenin e Fierzës, ministri Koka kërkoi fillimin e një projekti të përbashkët për shmangien e ndotjes, të ngjashëm me investimin e realizuar në grykëderdhjen e lumit Shkumbin dhe atë që do të nisë së shpejti në grykëderdhjen e Ishmit. “Ky hap do të tregonte vullnetin tonë të përbashkët për të zgjidhur çdo problematikë mjedisore për të kthyer dhe besimin e qytetarëve ndaj nesh”, nënvizoi ministri Koka, duke kërkuar theksuar si të rëndësishëm edhe angazhimin nga pushteti vendor dhe komuniteti i zonës në të dyja vendet.

Më pas, palët diskutuan mbi krijimin e një brezi të gjelbër mjedisor Shqipëri-Kosovë me qëllim zbutjen e barrierave kufitare dhe krijimin e një zone të përbashkët si një atraksion turistik që do të konsiderohej një park rekreacioni me shtigje dhe fusha sporti, me një planifikim urban dhe mjedisor të këtij mjedisi të përbashkët. Ky projekt do të zbuste kështu pamjen e trishtë në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe do të risillte në vëmendje të qytetarëve pasuritë natyrore dhe traditat, por edhe zhvillimin e një turizmi miqësor ndaj natyrës.

Të dy ministrat shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre që për këto 2 projekte konkrete të fillojë puna midis ekipeve të ministrive brenda muajit prill 2017, duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet njerëzore dhe eksperiencën e duhur për të shmangur burokracitë. Palët diskutuan edhe për bashkëpunimin mbi zhvillimin e qëndrueshëm në Harkun Dinarik si dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për menaxhimin e ekosistemit “Sharr (Šar Planina )– Korab –Koritnik” që ka mundësinë për t’u shndërruar në zonën e mbrojtur më të madhe në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, si dhe një nga më të mëdhatë në Evropë.

Ministri Shala përsëriti interesimin e vendit të tij që zona e Alpeve të trajtohet si një zonë ndërkufitare e mbrojtur, ndërsa nga ana e tij, ministri Koka e siguroi homologun se së shpejti propozimi i Ministrisë së Mjedisit për shpalljen e Parkut Kombëtar të Alpeve do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, duke i hapur rrugën kështu një bashkëpunimi të ri në nivel rajonal për zbatimin e një projekti madhor të shumëpritur nga palët.

Në fund të takimit bilateral palët rishprehën vullnetin e tyre për bashkëpunim të pandërprerë në konkretizimin e të gjitha projekteve të përbashkëta.
Sigal