Meta: Berisha, pika ime e dobët dhe e fortë

466
Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i ardhshëm komenton marrëveshjen Rama-Basha dhe marrëdhënien me ish-kryeministrin
Kryetari i Kuvendit dhe Presidenti i ardhshëm i Republikës, Ilir Meta, komentoi marrëveshjen politike PS-PD për t’i dhënë fund krizës politike, si dhe marrëdhënien me ish-kryeministrin Berisha. Meta tha në emisionin “Zonë e Lirë”, se Berisha ishte pika e tij e dobët dhe e fortë.

Ajo që ndodhi së fundmi është përsëritja në një farë mënyre, por në forma të tjera e paktit që u bë midis z. Berisha dhe z. Rama në 2008-n… Apo jo?
“Së pari, është e rëndësishme që z. Rama dhe z. Basha i dhanë fund një kalvari vuajtjesh të qytetarëve shqiptarë për disa muaj, në mënyrë të panevojshme dhe artificiale. Dhe i dhanë mundësi vendit të jetë më i qetë dhe të shkojë më në fund në zgjedhje normale, gjithëpërfshirëse, ku opozita do të marrë pjesë”.

Ishin artificiale arsyet e krizës?
“Padyshim që ishin artificialë, sepse kjo zgjidhje që u bë para dy ditësh mund të ishte bërë para dy muajsh kur erdhi përfaqësuesi i PPE-së, z. McAllister. Mund të ishte bërë edhe më përpara, nëse do të kishte vullnet të mirë për të dhënë më shumë besim për zgjedhjet”.

Përse, sipas teje, nuk u bë kjo përpara 1 muaji?
“Nuk dua të bëj gjykatësin dhe analistin, sepse nuk është kjo detyra ime. Mund t’ju them që përpjekjet e mia, edhe si kryetar i Kuvendit në atë kohë, edhe të LSI-së kanë qenë maksimale, që kjo gjë të ndodhte prej kohësh, në mënyrë që vendi të mos pësonte atë stres, por edhe atë pasiguri dhe dëmtim të imazhit. Le të mos harrojmë, kemi hyrë në sezonin turistik, përveç shumë faktorëve të tjerë, sepse nuk ka vetëm zgjedhje në këtë vend. Ka edhe ekonomi, ka edhe turizëm, ka edhe kulturë, ka edhe sport”.

LSI në këto momente është në një farë mënyre e paralizuar. Dhe jo vetëm LSI-a, por edhe partitë e tjera, sepse nuk patën mundësi të bënin koalicion…

“Përmendët edhe 2008-n, përmendët edhe koalicionet. 

Së pari, duhet të kemi parasysh që historia nuk përsëritet dy herë njësoj. Në qoftë se në 2008-n u përjetua si tragjedi, tani të gjithë e përjetojnë si komedi. 
Së dyti, janë dy realitete krejt të ndryshme. 

Dhe së treti, LSI-a nuk dëmtohet nga çdo lloj manovre, apo ku di unë, për çështjen e koalicioneve, për arsye sepse të gjitha forcat politike në këtë rast, garojnë në mënyrë të barabartë. Dhe në këtë raport, sikurse ju besoj e shikoni apo e ndieni, ndihet tepër e sigurt për të dalë forcë e parë në këto zgjedhje, kështu që nuk ka asnjë arsye pse të dëmtohet. Ndoshta mund të dëmtohen disa parti të reja të cilat ende nuk janë shtrirë në terren dhe mund të kishin përfaqësim më të drejtë, por përsëri kjo nuk është përgjegjësi e LSI-së në këtë rast.

Megjithatë, nga kjo marrëveshje, po të ishte mundësia e koalicionit e hapur, LSI do të shkonte në koalicion me një parti tjetër të madhe? 
“LSI-ja do të krijonte çdo lloj koalicioni që do ta bënte garën më të shëndetshme dhe më demokratike”. 

Pra nuk do të ishit kundër koalicioneve parazgjedhore, apo jo?
“Nuk kemi qenë asnjëherë kundër koalicioneve, por në çdo rast do gjykojmë për koalicionet në varësi të rrethanave”.

Kriza nuk ishte artificiale?
“Tejzgjatja e krizës dhe kërkesat, që ishin jashtë çdo logjike, sidomos qeveri teknike, votim elektronik, bërja e zgjedhjeve në dhjetor etj, ishin tërësisht të pajustifikuara, por këto çështje, të mësipërmet, ishin çështje që qëndronin. Kur situata po acarohej më tej, LSI bëri propozimin që qeveria duhet të krijojë qeveri besimi për zgjedhjet, pra mund të jetë dhe kjo qeveri që është. Praktikisht kështu ndodhi. Edi Rama është kryeministër dhe z. Basha propozoi disa ministra teknikë në disa ministri”. 

Pse Lulzim Basha u tërhoq dy ditë më parë?
“Ai ka bërë shumë mirë që është tërhequr. Sepse duhet të ishte tërhequr një muaj më parë. Më mirë vonë sesa kurrë”.

Çfarë e detyroi?
“Ndoshta ndjenja e përgjegjshmërisë. Çdo politikan në fund ka një ndjenjë përgjegjshmërie:.

Po, por ajo duhet të vijë nga një arsye e fortë?
“Një arsye e fortë, përveç faktorit ndërkombëtar, përveç të dërguarit të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Yee dhe një faktor tjetër që unë e vlerësoj, kanë qenë partitë aleate të PD-së, z. Duka, z. Mediu, të cilët ishin shumë realistë dhe mendonin, që u arrit sensibilizimi maksimal brenda dhe jashtë vendit për çështjen e zgjedhjeve dhe u dhanë disa garanci që asnjëherë më përpara nuk i ishin dhënë një opozite nga një mazhorancë shumë solide siç është ajo aktuale parlamentare. Natyrisht që nuk mund të çohej më tej një krizë, e cila ishte duke sjellë një konfrontim me pasoja të pa parashikueshme. Pra, unë mendoj se ndjenja e përgjegjësisë e solli këtë marrëveshje dhe kështu le të shpresojmë dhe besojmë se në të ardhmen mos i çojmë krizat në kufij të rrezikshëm, por t’i parandalojmë ato dhe të ndërtojmë institucione të qëndrueshme”. 

Si ka mundësi që të nesërmen e paktit Rama-Basha ju ishit tek Z. Berisha?
“Doktori është pika ime e dobët dhe pika ime e fortë, gjithmonë në kuptimin pozitiv të fjalës. Së dyti ajo ka qenë një ditë fare normale. Unë kam qenë në një drekë dhe natyrisht që kam pasur edhe kënaqësinë të përshëndetem me doktorin dhe e kam vlerësuar rolin e tij për zgjidhjen e kësaj krize. Sepse duhet të jemi të sinqertë që doktori ka pastur rolin e tij pozitiv”. 

Çfarë mendoni për Sali Berishën?
“Këtu jam subjektiv, pika ime e dobët dhe pika e fortë. Tani unë e di që ka edhe shumë njerëz që më duan mua, por nuk e duan atë. Por unë vlerësoj faktin që ai është një njeri tepër i qëndrueshëm dhe ka bindjet e veta. Pavarësisht se çdo politikan ka ato hapësirat e veta ku bën edhe manovrat e tij politike, por Doktori është një partner shumë i qëndrueshëm dhe serioz, të paktën për aq kohë sa unë kam bashkëpunuar. Edhe kur nuk kuptohesh, është e qartë se nuk kuptohesh. Por ama kur kuptohesh je shumë i qetë”.

Po si u ndatë me Doktorin?
“Nuk ka qenë ditë e lumtur për mua, të jesh i sigurt”.

Ishte divorc i detyruar…

“Ne jemi ndarë shumë mirë dhe i ka mirëkuptuar, pavarësisht se për arsye politike më pas mund të ketë patur qëndrime apo deklarata. Unë kam konsideratë të veçantë”.

Çfarë do që të ndodhi nuk e ndryshon?
“Pse ta ndryshojë mendimin. Është një përvojë konkrete. E kaluara nuk ribëhet. Ai është politikan, ka qëndrimet e tij, ka partinë e tij, ka kryetarin e tij, është çështje tjetër. Por raporti im me të ka qenë një raport shumë i veçantë”.

Ai ka kryetarin e tij Lulzim Bashën siç keni ju kryetarin tuaj Petrit Vasilin…

“Nuk është e njëjta gjë, po të paktën edhe kryetari im përsëri është doktor”. 
Sigal