Meta-Benkirane: Vijojmë procesin e lehtësimit të vizave dhe heqjes së taksës së dyfishtë

61

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, u prit sot nga Kryeministri i Marokut, z. Abdelilah Benkirane

 Gjatë vizitës së tij zyrtare Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, u prit sot në Rabat nga Kryeministri i Marokut, z. Abdelilah Benkirane.

Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se Shqipëria i çmon marrëdhëniet me Marokun, një vend mik i shqiptarëve dhe me peshë konstruktive në rajon. Në këtë kuadër, z. Meta vlerësoi punën e autoriteteve marokene për reformimin dhe transformimin pozitiv shoqëror dhe ekonomik të vendit.

Kryeministri Benkirane u shpreh se Maroku ndjehet afër Shqipërisë dhe se qeveria e tij dëshiron të zhvillojë marrëdhënie substanciale që reflektojnë të njëjtin nivel miqësie që ekziston mes dy popujve.

Në këtë drejtim, Kryetari i Kuvendit z. Meta propozoi përshpejtimin e finalizimit të marrëveshjeve në proces, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të vizave, nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve dhe për eliminimin e taksimit të dyfishte, hapa që do të hapnin rrugën për një intensifikim të dukshëm të shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve.

Gjithashtu, z. Meta dhe z. Benkirane vlerësuan se duke marrë në konsideratë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe marrëdhënien preferenciale që Maroku gëzon me Bashkimin Evropian, dy vendet duhet të rrisin bashkëpunimin në planin euro-mesdhetar, jo vetëm në funksion të paqes dhe stabilitetit, por edhe në shërbim të rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik të të dy popujve.

Në përfundim, duke nënvizuar qëndrimin e qartë të Shqipërisë për respektimin e integritetit territorial të Marokut, Kryetari i Kuvendit z. Meta kërkoi që Maroku të rrisë bashkëpunimin me Kosovën dhe të avancojë drejt njohjes së plotë të pavarësisë së saj.

Pas këtij takimi, z. Meta iu përgjigj interesimit të media për një prononcim:

 “Synimi kryesor i kësaj vizite ka të bëjë me ambiciet tona për të forcuar marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut. Marrëdhënie që kanë një traditë të gjatë historike të bazuara në miqësinë e përbashkët midis popujve tanë dhe vendeve tona. Gjithashtu do të përpiqemi të përfitojmë sa më shumë për të ardhmen e vendeve tona dhe popujve tanë.

Ishte një kënaqësi për mua të takohesha me Kryeministrin e Mbretërisë së Marokut, z. Abdelilah Benkirane dhe të diskutoja me të për shumë çështje. Ne ramë dakord që të vazhdojmë procesin e lehtësimit të vizave dhe të vijojmë me heqjen e taksës së dyfishtë dhe marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve që do të ndihmojnë në rritjen e mëtejshme të shkëmbimet ekonomike, njerëzore, tregtare dhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona.