Meta: Bashkëpunim me Azerbajxhanin në fushën e energjisë

511
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Forumit të 6-të Baku-së, me temë: “Mbyllja e boshllëqeve për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse”, ku marrin pjesë një sërë krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve të ndryshme, si dhe një numër i madh politik-bërësish dhe akademikësh. Me këtë rast, Presidenti Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Kreu i Shtetit vlerësoi ecurinë për forcimin gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve të shkëlqyera politike dypalëshe dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev dhe Azerbajxhani i kanë dhënë realizimit të Projektit të gazit TAP, si dhe procesit të gazifikimit në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi edhe mbështetjen e Presidentit Aliyev për projektin tjetër të gazit, IAP (Ionian Adriatic Pipeline), i cili do të ketë një impakt të madh rajonal. Presidenti Meta nënvizoi nevojën e shtrimit të bashkëpunimit dypalësh, jo vetëm në fushën e energjisë, por edhe në fusha të tjera, si tregtia, turizmi, arsimi, kultura e të tjera. Presidenti Aliyev e falënderoi Presidentin Meta për ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe premtoi realizimin e saj në një kohë sa më të shpejtë.
Sigal