Meta: Ata që mohojnë LANÇ-in dhe e quajnë luftë civile, janë karagjozë

476
Sigal

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u takua dje me anëtarët dhe simpatizantët e LSI -së në qytetin e Pogradecit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar. Në fjalën e tij përshëndetëse para qindra qytetarëve pogradecarë z. Meta uroi 100 -vjetorin e Pavarësisë, 100 vjetor i cili sipas tij e gjen Shqipërinë në NATO, qytetarët e së cilës udhëtojnë pa viza”.  Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim të gjithë qytetarët kërkojnë të ecin më shpejt drejt zhvillimit të vendit, drejt integrimit evropian. “Ndaj ne duam që të ecim më shpejt. Të ecim më shpejt për zhvillimin e Pogradecit, më shpejt për zhvillimin e Shqipërisë, për integrimin europian . Dhe jemi këtu për të kujtuar të gjithë ata që bënë gjithçka që Shqipëria të jetë kjo që është sot. Lideri i LSI-së vijoi fjalën e tij para qytetarëve pogradecarë duke kujtuar të gjithë ata që e bënë të mundur krijimin dhe forcimin  shtetit shqiptar. “Kujtojmë sot Ismail Qemalin dhe gjithë patriotët shqiptarë, të cilët shpallën pavarësinë e vendit tonë. Kujtojmë sot të gjithë rilindësit tanë, për të cilët Pogradeci, Korça, Kolonja kanë një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilët e çuan kombin tonë, duke iu rikthyer figurës më të lavdishme, asaj të Skënderbeut për të mbërritur në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Pogradeci ka pasur përfaqësuesit e tij që nga Isuf Çollaku e të tjerë, ashtu sikurse jemi sot për të kujtuar faktin se pa 29 nëntorin e vitit 1944 Shqipëria nuk do ta kishte sot 28 nëntorin e vitit 1912.   Kujtoj gjakun e Reshit Çollakut, heroit të Pogradecit dhe gjithë popullit tonë, dhe njëkohësisht përbuzim të gjithë ata karagjozë që na thonë se nuk ka pasur luftë Antifashiste Nacional Çlirimtare, që në Shqipëri nuk janë vrarë italianë dhe gjermanë, që na thonë se lufta është thjesht një sajesë e propagandës së regjimit të kaluar”, u shpreh ai.  Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, Pogradeci dhe shqiptarët kanë luftuar dhe prandaj kanë merituar pavarësinë dhe lirinë dhe sipas tij shqiptarët do të punojnë të gjithë së bashku për të merituar edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.  Kjo është ajo që kërkon rinia e Pogradecit dhe e gjithë Shqipërisë, kërkon një Shqipëri evropiane që qëndron fort tek kujtimi i të parëve tanë, i rilindësve tanë, tek kujtimi i atyre që ngritën flamurin në Vlorë, tek kujtimi i atyre që çliruan Shqipërinë në 29 nëntor duke garantuar përsëri pavarësinë e Shqipërisë. por edhe kontributi i të gjithë atyre që votojnë për të konsoliduar demokracinë në vend, përmes bashkëjetesës dhe  bashkëpunimit dhe jo përmes konfliktit, kokëfortësisë dhe ndarjeve sociale.  Kjo është Lëvizja Socialiste për Integrim. Është forca që do të punojë për t’i bashkuar të gjithë drejt integrimit evropian.

______________________________________________________________________________________

Ku ishit më 17 nëntor z.Meta ?!

Ishte e turpshme dhe qesharake dje të dëgjoje kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili deklaronte nga Pogradeci se askush nuk duhet të harrojë 29 Nëntorin  dhe se ata që krahasojnë luftën nacional-çlirimtare me atë civile janë karagjozë.  Madje, kjo deklaratë e Metës jo vetëm kaq, por është edhe qesharake. Por shqiptarët tashmë janë mësuar dhe se, Ilir Meta këtë lloj diversioni e përdor sa herë ofrohen zgjedhjet, madje mban edhe një shami të kuqe në xhep për ta hedhur në qafë sa herë I duhet të mashtrojë ndonjë veteran. Po ku ishe në 17 Nëntor ti z.Meta. Përse nuk vajte tek “Ushtari i Panjohur”, apo Varrezat e Kombit? Ti u fshehe se nuk doja ta prishje me zogistët dhe dërgove Vasilin dhe Monikën sa tek rivarrimi I tradhtarit të kombit aq edhe tek Varrezat e Dëshmorëve. Ti vajte nderove vrasësin e  Riza Cerovës dhe harrove 127 dëshmorët që ranë për çlirimin e Tiranës. Ti je në koalicion me ata që  çdo ditë po ndërrojnë  emrat e rrugëve të Tiranës dhe Shqipërisë dhe po i zëvendësojnë me kuislingët dhe bashkëpunëtorët e Hitlerit. Ku janë “Heronjtë e Vigut”? Po rilindësit ku janë? Ku është Fan Noli ? Po Avniut pse deshe t’ja hiqje emrin? Ja pra pse nuk besojmë më tek hipokrizia jote që është shumë herë më e turpshme dhe e pabesë se vetë pinjollët dhe pasardhësit e fashistëve. Shikoni si i nderon SHBA-ja, Anglia, Franca, Rusia dhe mbarë qytetërimi botëror heronjtë e tij.