Meta: Anëtarësimi në BE, aspiratë kryesore e të rinjve

409
Anëtarësimi në BE është një aspiratë kryesore e të rinjve. Kështu u shpreh sot Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në aktivitetin dhe Panairin e hapur në ambientet e Ministrisë së integrimit Europian, me rastin e ditës së Europës, nën sloganin “Unë jam Europian”.
Meta u shpreh se për integrimin në BE, “është e rëndësishme, jo vetëm të vlerësojmë dimensionin kombëtar të kësaj sfide, por edhe dimensionin lokal, sepse standardet duhen arritur në të gjithë vendet”.
“Parlamenti ka përgjegjësi për të zgjeruar konsensusin politik për përshpejtimin e reformave kyçe. Sot pasdite do të inaugurojmë Këshillin Kombëtar për Integimin Europian që do drejtohet nga një përfaqësuese e opozits dhe kështu shpresojmë që opozita të zhvillojë më tej bashkëpunimin për këto reforma”, tha Meta
Kreu i Kuvendit theksoi rëndësinë që ka ecja më shpejt në reformë në dretësi, të cilën e e cilësoi si kryereformë.
Gjithashtu Meta nënvizoi se “reforma administrative-territoriale, që do të marrë jetë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, jo vetëm do të fuqizojë pushtetin vendor, por do të ndihmojë dhe në mirë-adminsitrimin lokal”. Meta vlerësoi edhe kuotat e barabarta për barazinë gjinore në këshillat bashkiak. “Do të kemi kandidate gra që do të kenë mundësinë të drejtojnë shumë bashki kryesore në vend. Gjithashtu në këshillat bashkiakë do të kemi për herë të parë barazi të plotë gjinore”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit kërkoi që partitë politike të tregojnë shkallën më të lartë të pjekurisë në këto zgjedhje që sipas tij, “duhet të jenë të standardeve më të larta. “Të distancohemi nga çdo akt që synon të cënojë artificialisht këto zgjedhje”, tha Meta.
Ndërsa, ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin, në fjalën e saj u bëri thirrje të rinjve që të angazhohen sa më shumë për të dhënë kontributin e tyre në integrimin evropian. “Të rinjve u them, mësoni sa më shumë të jetë e mundur për një Shqipëri më të mirë. Të gjithë ambasadorët këtu po punojnë për një Shqipëri evropiane në Bashkimin Evropian”, tha Vlahutin.
Aktiviteti “Unë jam Europian” është një iniciativë e përbashkët e Ministrisë së Integrimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Projektit SMEI 3 dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian. Me këtë rast u organizua edhe një panair i hapur me produkte artizanale shqiptare dhe materiale promovuese të vendeve të BE-së.
Marrë nga ATSH
Sigal