Meta, analizë zgjedhore me strukturat e LSI-së

587
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në analizën për zgjedhjet vendore të 21 qershorit të strukturave të LSI-së në Qarkun Durrës.
Kryetari LSI, Meta, duke folur para antarëve dhe simpatizantëve të LSI-së, tha se “rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit janë një bazë shumë e mirë për të ardhmen”, ndërsa përmendi disa nga qarqet kryesore të vendit ku kjo forcë politike ka shënuar një rritje të ndjeshme. “LSI-ja është një forcë politike që ka një rritje të konsiderueshme nga zgjedhjet politike të vitit 2013, me 80 mijë vota dhe padyshim është dyfishuar në raport e zgjedhjet vendore të vitit 2011, me 140 mijë vota. Ajo që na gëzon më shumë është fakti se LSI-ja ka dalë në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit forcë e parë dhe forcë e dytë politike”, theksoi ai.
Meta vleresoi faktin se “LSI në qarkun e Gjirokastrës ka dalë forcë e parë politike dhe në katër qarqe të tjera ndër më të mëdhatë e vendit, ka dalë forcë e dytë politike. Në qarkun e Fierit, që është i dyti për nga madhësia në vend, në qarkun e Elbasanit që është gjithashtu një qark shumë i rëndësishëm, në bashkinë e Shkodrës dhe në qarkun e Shkodrës, që është qarku më i rëndësishëm në veriun e vendit dhe natyrisht në qarkun e Beratit. Rezultatet në Durrës dhe në Tiranë janë jashtëzakonisht pozitive, ku kemi pasur një dyfishim të votave”, vuri ne dukje Meta.
Kryetari i LSI-së, Meta, ka theksuar gjithashtu se fuqia kryesore e LSI-së është rinia dhe se u duhet dhënë më shumë mundësi të rinjve për t’u afirmuar.
Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka, shprehu mirënjohjen për të gjithë ata qytetarë të Durrësit, të cilët përzgjodhën Lëvizjen Socialiste për Integrim si forcën politike për ta votuar në zgjedhjet lokale.
Sigal