Meta: Akuzat e Bashës absurde harta e re e favorizon për Tiranën

426
Sigal

TIRANE – “Harta e re territoriale favorizon Kreun e Bashkisë së kryeqytetit Lulzim Basha pasi Tirana është dyfishuar dhe askush nuk e pengon që të fitojë sërish.” Kështu është shprehur Kreu i Kuvendit Ilir Meta lidhur me akuzat e bëra nga opozita kundër reformës territoriale dhe pretendimit se harta e re favorizon mazhorancën me ndarjen e re të bërë me 61 njësi vendore.

Duke folur nga ambientet e Kuvendit, kreu i këtij institucioni tha se ka mbetur i zhgënjyer nga kreu i PD, Basha lidhur me akuzat e këtij të fundit edhe pas vendimit të marrë dje nga Gjykata Kushtetuese lidhur kërkesën e opozitës për rrëzimin e kësaj reforme.

Sipas Metës, është për të ardhur keq që është PD e cila pretendon zbatimin dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe është po ajo që në të njëjtën kohë nuk pranojnë vendimin dhe ndarjen e re territoriale të vendit.

Përkundrazi sipas Kreut të Kuvendit harta e re territoriale favorizon Bashën, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, pasi me ndarjen e re, kryeqyteti dyfishohet dhe në këtë mënyrë kryebashkiaku aktual ka më tepër mundësi për të fituar sërish.

“Në mënyrë tepër bindëse Gjykata Kushtetuese u shpreh për kushtetueshmërinë e reformës territoriale që ishte kontestuar nga ana e PD. Është një zhgënjim i thellë që vjen nga Basha për të gjithë ata që kanë dëgjuar prejt tij dhe PD si kërkesë kryesore insistimin për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dhe në momentin kur Gjykata Kushtetuese nuk jep një vendim që i pëlqen PD, kemi një kundërshtim dhe reagime vërtetë destruktive që tregojnë qartë se opozita jonë ka nevojë të bëhet më e përgjegjshme dhe më parimore. Nuk duhet të akuzojë mazhorancën për standarde të dyfishta kur vetë zbaton standarde të dyfishta. Kjo nuk është një situatë serioze. Ndërsa lidhur me pretendimin se kjo reformë është bërë për zgjedhjet lokale të 2015 janë qesharake. Ne e dimë se këto janë zgjedhjeve vendore dhe jo politike. Sa i përket këtyre të fundit Shqipëria mbetet me 12 qarqe dhe nëse do të ishte dikush i favorizuar është opozita dhe personalisht Basha.” theksoi në fjalën e tij kryeparlamentari Meta