Meta: 18 Qershori është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit

526
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në konventën zgjedhore të strukturës së LSI për Tiranën tha se standardi i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e vendit, dhe vendimtar për hapjen ose jo të negociatave me BE-në.
“Rezultati i 18 qershorit është vendimtar, kemi sfida të tjera para se të flasim për rezultatin e LSI më 18 qershor. Është jetik për të ardhmen e vendin tonë, dhe për realizimin e të gjitha atyre angazhimeve të nevojshme.
Rezultati i Shqipërisë më 18 qershor, pra standardi i zgjedhjeve dhe legjitimiteti i tyre është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë pas 18 qershorit, sepse rezultati i zgjedhjeve lidhur me standardin e tyre, më 18 qershor është vendimtar për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, standard i panegociueshëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Ndaj duhet të kujdesemi më shumë sot për rezultatin që zgjedhjet e vendit tonë do të marrin më 18 qershor.
Sepse është i rëndësishëm për legjitimitetin e gjithë institucioneve ligjvënëse dhe qeverisëse në Shqipëri pas 18 qershorit, sepse standardi i këtyre zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për të ecur në zbatimin me sukses dhe besueshmëri të reformës në drejtësi, që është mjaft jetike për Shqipërinë e dekadave që vijnë”, deklaroi z. Meta.
Ai i kërkoi përfaqësuesit të LSI në komisionin e reformës zgjedhore Luan Rama, që të shfyrtëzohet koha shtyrja me një muaj e afatit të këtij komisioni për të plotësuar në maksimumi rekomandimet e OSBE/ODIHR, për të rritur besimin e qytetarëve se vota e tyre do të jetë e lirë.
Është detyra jonë që në këtë situatë të bëjmë të mundur ecjen e reformës në drejtësi, tha Meta, duke shtuar se mungesë e konsensusit për reformën, do të thoshte ngecie e negociatave. Ai foli dhe për konfliktet politike:
“Kemi kaq shumë energji që i shterojmë në mënyrë armiqësore ndaj njëri-tjetrit, aq sa dhe përfaqësuesja e politikës së jashtme kishte deklaruar se konflikti politik është një sport majft popullor në Shqipëri.
Në fakt, besoj se është i urryer në Shqipëri, po popullor në qarqe të ngushta, pasi shohim që qytetarët shqiptarë janë tolerant me njëri-tjetrin, ndryshe nga fillimi i viteve ’90, dhe prapë vazhdojmë e flasim sikur të ishim në ato vite me një retorikë mjaft armiqësore, dhe mjaft përjashtuese, me një retorikë që helmon çdo ditë mjedisin publik, besimin tek institucionet, besimin tek njëri-tjetri dhe në fakt mosbesimin te zgjedhjet.
Më shumë se çështje e kodit, është çështje e mosbesimit dhe mungesës së kulturës politike për të pranuar zgjedhjet e lira dhe rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht nëse i fiton apo humbet ato”, tha Meta
Sigal