Mesila Doda: Dekriminalizimin edhe nga personat që kanë bërë krime në komunizëm

441
Deputetja Mesila Doda, bashkë me propozimet për projektligjin për dekriminalizimin ka bashkëngjitur një sërë propozimesh, që kanë të bëjnë me përjashtimin nga politika dhe postet kryesore të të gjithë personave që kanë mbajtur poste të rëndësishme në diktaturë dhe kanë qenë pjesë e organeve të hetimit dhe gjykimit të kësaj diktature. Ja propozimet e deputetes Mesila Doda: Bashkëngjitur keni nismën ligjore, që kërkova të shqyrtohet bashkë me propozimin për dekriminalizimin e politikës shqiptare. Kjo nismë synon pastrimin e politikës, administratës, drejtësisë dhe organeve të rendit nga persona të cilët kanë krime në të kaluarën e tyre si pasojë e bashkëpunimit dhe pozicioneve vendimmarrëse ne politikën dhe organet e dhunës të regjimit komunist. Në ditët e sotme vendet e Europës që kanë vuajtur nga një regjim i tillë, jo vetëm kanë ndërtuar institucionet e memories dhe kanë hequr nga vendimmarrja, politikbërja dhe deri në institucionet arsimore personat, që kanë bashkëpunuar, kanë kryer krime dhe kanë qenë në pozita vendimmarrëse në regjimin e kaluar, por po propozojnë edhe ngritjen e Gjykatës së krimeve Nuremberg2, për dënimin e krimeve dhe personave përgjegjës. Duke konsideruar që krimet e sotme, siç janë ato kundër jetës, trafikimi, vrasja, korrupsioni nuk janë aspak më të rënda se krimet e djeshme që ishin krimet kundër jetës e kundër njeriut, vrasjet, dëbimet, torturat, burgosjet për agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, akuza për agjentura…etj…gjykoj se është e një rëndësie të veçantë marrja në shqyrtim e kësaj nisme, e cila siguron ndarjen nga krimi i djeshëm, i cili as është parashkruar e as ka humbur rrezikshmërinë.
Propozime për amendim
Amendim në nenin 2, pas pikës 1
nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, apo këshilltarë në Këshillin Bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit,apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga Këshillat Bashkiakë ose të qarkut, persona, të cilët në periudhën nga 29 nëntori 1944 deri me 2 korrik 1991, brenda apo jashtë vendit kanë qenë të përfshirë në:
a) Strukturat e ish-Sigurimit te Shtetit;
b) Bashkëpunëtorë te ish-Sigurimit të Shtetit;
c) Strukturat Drejtuese të Partisë Punës se Shqipërisë të Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë, në nivel lokal apo qendror;
d) Funksione të larta drejtuese të pushtetit Ekzekutiv në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në nivel lokal apo qendror;
e) Drejtimin e forcave të armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë;
f) Strukturat e Hetuesisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë;
g) Në detyrën e Gjyqtarit dhe Prokurorit në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Veprimtaria e secilit nga kategoritë e mësipërme shqyrtohet rast pas rasti nga Autoriteti për Informimin me të Dhënat e ish¬-Sigurimit
Ndryshim i pikës 1 të nenit 3:
“1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike ,si më poshtë:”
Të bëhet:
“1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 si dhe te përfshirjes se tij ne veprimtaritë e parashikuara ne piken 2 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike si më poshtë:…”
Ndryshim te pikës 1 te nenit 4
“1. Për personat që parashikohen në shkronjën “a” të pikës 1 dhe ata te pikës 2 te nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.”
Sigal