Mesi: Zero dokumente, zero tolerancë ndaj korrupsionit

84
Zëvendëskryeministrja Senida Mesi u shpreh se qytetari duhet të informohet për të gjitha shërbimet, sepse administrata publike është për t’i shërbyer qytetarëve. Në një takim për Shërbimet Administrative, Mesi tha se administrata kishte nevojë pas 27 viteve të shkundej nga pluhuri i dokumentacioneve dhe nga pluhuri i burokracisë. “Faza e parë vjen nga numri i sasisë, ku ne themi të shkurtojmë barrën e burokracisë, një element shumë i rëndësishëm ishte kalimi i barrës së gjenerimit të dokumentacionit, jo më nga qytetari, sipërmarrësi, fermeri apo bujku, por vetë nga administrata publike, ku një institucion e ka të lehtë të komunikojë me një institucion tjetër në lidhje me një dokument apo kërkesë. Nga njëra anë, po punohet për shërbimet online që ju t’i merrni në portalin e-albania, e nga ana tjetër, të jetë administrata dhe jo të përdoret më qytetari si korrier”, tha Mesi. Ajo shtoi se kjo është një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë shqiptare, për faktin se ndryshon mentaliteti i administratës publike se si t’i shërbehet me mirë qytetarit. “Qytetari duhet të informohet për të gjitha shërbimet dhe të pretendojë shërbimet nga administrate publike”, tha Mesi. Po ashtu Mesi theksoi se “Po standardizojmë procedurat të cilat minimizojnë kontaktin e qytetarit me nëpunësin e administratës publike, rrit besueshmërinë, rrit transparencën dhe sigurisht ul ryshfetin, ul korrupsionin dhe ne si qeveri jemi për të pasur tolerancë zero ndaj korrupsionit”.