Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi ka qenë sot në Shkodër në disa takime, ku ndër të tjera mori pjesë në mbledhjen e të Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit. Ajo foli ndër të tjera edhe për një investim 10 milionë euro, që aktualisht është në fazë studimi e që brenda 2018 pritet që të fillojë punimet, për rrugën Velipojë – Shëngjin.

Gjatë mbledhjes së Komitetit Mesi shprehu pritshmëritë për rritje të numrit të turistëve në vend, ndërsa theksoi ato që i cilësoi si sfida në mesin të këtij sezoni. “Nisur edhe nga ngjarjet e fundit në bregdetin shqiptar ku turistë vendas dhe të huaj kanë humbur jetën në det, situata e sigurisë së vijës bregdetare dhe në plazh duhet të jetë prioriteti kryesor”, tha Mesi duke shtuar se vendosja e sinjalistikës së sigurisë në çdo plazh privat dhe publik është detyrim i Bashkisë apo njësive administrative vendore dhe i çdo biznesi.

“Nuk mund të tolerohet askush që ushtrohen aktivitet biznesi në vijën bregdetare dhe nuk vendos sinjalistën e nevojshme të sigurisë.  Vendosja e kullave të vrojtimit dhe e rojeve bregdetare është detyrim për çdo biznes që ofron stacion plazhi; Nuk mund të tolerohet që bizneset uzurpojnë hapësirat dhe ofrojnë plazhe private pa marrë më parë lejen përkatëse dhe të mos ofrojnë sinjalistikën përkatëse dhe rojet bregdetare”, tha Mesi ndër të tjera.

Nga Shkdora Zëvendëskryeministrja theksoi edhe një herë rëndësinë e kushteve higjieno-sanitare në shërbimet e plazheve, duke pohuar se nuk do të ketë tolerancë për baret, restorantet, pishinat, hotelet, bujtinat, fshatrat turistike, subjekte të prodhimit apo përpunimit të produketeve ushqimore, të cilat nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare.

Gjatë takimeve në Shkodër, Mesi vizitoi edhe qendrën shëndetësore të Velipojës, ndërsa pati një takim edhe me përfaqësues të biznesit.

Në pikën kufirtare të Muriqanit, u takua me të rinjtë e përfshirë në projektin “Smile Albania”.