Sigal

Prezantohet Modeli i Ri i Nëpunësit Civil në Administratën Publike në Shqipëri

ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi prezantoi sot modelin e ri të nëpunësit civil në administratën publike në Shqipëri gjatë ceremonisë së diplomimit të 15 nëpunësve të rinj civil, të cilët ishin pjesë e një kursi studimi në Shkollën Franceze të Administratës Publike (ENA) në Paris dhe Strasburg, si dhe kanë zhvilluar vizita studimore në institucionet evropiane në Luksemburg dhe Bruksel.

Në fjalën e saj, Znj. Mesi u shpreh se nëpunësit e diplomuar përfaqësojnë një model të ri të nëpunësit të administratës publike bazuar në modelet e praktikat më të mira evropiane sikurse është edhe Shkolla Franceze ENA. Në kuadër të reformës rrënjësore dhe gjithëpërfshirëse të administratës publike – si një prioritet madhor i Shqipërisë drejt integrimit evropian – Qeveria Shqiptare dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë bashkuar forcat për ta shndërruar administratën publike në Shqipëri.

“Era e ndryshimit në administratën publike ka filluar dhe të rinjtë e diplomuar në ENA janë ogur i mirë i transformimit të saj”, deklaroi ZëvendësKryeministrja Mesi, duke theksuar se modeli i ri i vlerave në administratën publike bazohet në integritet, profesionalizëm e meritokraci dhe se do t’i jepet fund njëherë e mirë mentalitetit se puna në shtet “do të thotë rehati”.

Znj. Mesi nënvizoi gjithashtu se po thellohet reforma duke përgatitur të rinjtë në shkollat më të mira evropiane për administratën publike dhe ftoi të rinjtë e diplomuar në Shqipëri dhe jashtë saj t’i bashkohen sfidës së Qeverisë Shqiptare për një administratë publike të qëndrueshme, të depolitizuar dhe me profesionalizëm të lartë. Ajo garantoi se qeveria po punon fort për të ofruar edhe më shumë hapësira angazhimi për të rinj e të reja me dëshirë për punë.

“Skema e Bursave për Nëpunësit e Rinj Civilë në Shqipëri” është një skemë e re e Qeverisë Shqiptare për zhvillimin profesional të nëpunësve civil të administratës publike në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Ambasadën Franceze dhe realizuar përmes Departamentit të Administratës Publike (DAP).

Një grup prej 15 nëpunësish civilë nga institucionet e administratës qendrore u zgjodhën për të qenë pjesë e skemës pilot, e cila zgjati plot 4.5 muaj. Pjesëmarrësit u zgjodhën nga katër fusha kryesore horizontale që mbulojnë politikat publike; monitorimin dhe zbatimin e strategjisë; hartimin e legjislacionit; integrimin evropian dhe planifikimin e buxhetit e menaxhimin financiar. Grupi u trajnua në Shkollën Franceze të Administratës Publike (ENA) në Paris dhe Strasburg, duke përfshirë edhe dy vizita studimore në Luksemburg dhe Bruksel. Programi i trajnimit përmbajti një varietet modulesh, të cilat mbuluan tema të lidhura me politikat publike, qeverisjen për qytetarët dhe integrimin evropian. Programi i trajnimit përfundoi në qershor 2018 dhe të trajnuarit priten të sjellin në institucionet e tyre aftësi dhe energji të reja.