Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 24 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme

484
Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Lulzim Bashës sot, në çadrën e protestës
“Dita e 24-të e protestës na gjen më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë. Ndaj dua ta nis fjalën time në këtë paradite të lavdishme me diell me një falënderim për të gjithë ju, për të gjithë qytetaret e qytetarët, e në veçanti për të rejat dhe të rinjtë, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shpirti i papërkulshëm i kësaj lëvizjeje të madhe, i kësaj lëvizje popullore, qytetare dhe demokratike për një kauzë të madhe shqiptare dhe europiane, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Sot mes jush, si çdo ditë, ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit.

Sot, këtu na nderon me praninë e tij një përfaqësues i spikatur i mendimit dhe veprimit politik të së majtës, që është gazetari Dritan Hila.

Ju e mirëpritët dhe ndoqët çdo mesazh të tij dhe reaguat me inteligjencën, me mençurinë dhe me vetëdijen politike që karakterizon qytetarët shqiptarë dhe kjo është e pamanipulueshme nga çdo politikan apo çdo media manipulatore.

Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z.Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike, ai nuk është këtu për të mbështetur thjesht dhe vetëm opozitën apo aksionin opozitar në vetvete, nuk është këtu aspak për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës.

Unë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje. Dua t’i them se me praninë e tij sot këtu dëshmon shpirtin e vërtetë të këtij sheshi të lirisë, të kësaj tende të lirisë, shpirtin e vërtetë të këtij themeli, të republikës së re.

Në këto 24 ditë, ne kemi parë e kemi takuar shumë qytetarë dhe anëtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Në këto 27 vite të pluralizmit politik, socialistët shqiptarë kanë qenë kundërshtarët tanë në çdo palë zgjedhje.

Në çdo palë zgjedhje jemi ndeshur me ta dhe kemi fituar ose kanë fituar ata. Por ne nuk kemi harruar për asnjë çast se pavarësisht prej përplasjeve apo platformave politike, na bashkonte shqetësimi i drejtë se; ku po shkonte vendi. Pavarësisht prej zgjidhjeve që shikonim për problemet e vendit, na bashkonte të qënit shqiptarë.

E pra sot, socialistët shqiptarë që kanë patur dhe kanë guximin të jenë pjesë e këtij bashkimi të madh popullor, dhe nuk janë të paktë në numër, por janë shumë dhe janë këtu ditë për ditë, dhe demokratët shqiptarë, dhe çdo qytetar shqiptar, i bashkon një shqetësim shumë i madh. Dhe ky është shqetësimi i kriminalizimit total të politikës. Ky është shqetësimi i kriminalizimit total të vendimmarrjes së institucioneve shqiptare.

Kjo është gjëma e madhe dhe unike në Ballkan e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Nga krimi i organizuar që duke kapur shtetin, duke kapur qeverinë e Edi Ramës, duke kapur Partisë Socialiste përmes të ashtuquajturës “Rilindje”, që nuk është gjë tjetër veçse maska e krimit mbi një formacion politik shqiptar, ka agjesuar procesin politik dhe bashkë me të edhe mundësinë e qytetarëve për vendimmarrje.

Pasojat e kësaj ndihen kudo. Ndihen në radhë të parë në institucionet shqiptare, në bankat e Parlamentit që duhet të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por kur janë ulur tash katër vjet, njerëz, që nuk përfaqësojnë jo nivelin më të lartë siç duhet të përfaqësojnë, jo nivelin mesatar, por as nivelin me të ulët. Janë njerëz që përfaqësojnë llumin e shoqërisë, njerëz të dënuar për trafiqe, për drogë, për prostitucion, për vrasje. Njerëz që nuk i lidh asgjë me politikën, njerëz që madje nuk i lidh asgjë as me Partinë Socialiste të Shqipërisë, kundërshtarin historik të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Ata njerëz janë sot në bankat e parlamentit dhe janë sot kryetarë bashkish sepse i solli Edi Rama për pushtetin e tij dhe për fatin e tij personal. Për të marrë pushtetin politik u lidh me krimin e organizuar. Për të mbajtur pushtetin politik është gati që bashkë me krimin e organizuar dhe drogën të prishë institucionin fondamental të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ju e dini këtë fare mirë, shqiptarët e dinë këtë fare mirë.
Ndaj u mblodhën me 18 shkurt në bashkimin më të madh popullor, në lëvizjen më të madhe, për të marrë një vendim të madh, një vendim të rëndësishëm. Vendimin për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht, dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si kryeministër i qeverisë shqiptare.

Ne e dimë se Saimir Tahiri shërbeu denjësisht për kriminalizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, çka solli kanabizimin e vendit dhe ngritjen e kriminelëve në fron.

Ne e dime se, Ilir Beqaj, shërbeu përulësisht për krimin më të rëndë, shpenzimin e parave të taksapaguesve shqiptarë që duhet shkonin për shëndetin e të sëmurëve, e pacientëve, e familjarëve tanë, e fëmijëve, tanë në xhepat e dy apo tre oligarkëve të lidhur drejtpërdrejtë me pushtetin.

Por ne po kështu, të gjithë e dimë se këta të dy dhe ata dy të tjerët janë shërbëtorë të njeriut që është në krye të kupolës së krimit dhe korrupsionit në këtë vend.

Ndaj flijimi i tyre, largimi i çirakëve, jo vetëm nuk na shtendos nga qendrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur.

Tani në teorinë e konspiracionit, të shkarkuarit, ju kanë thënë disa gazetarëve dje se na shiti Ed Rama ke Lul Basha, na shiti te Lul Basha, që Lul Basha të ndalë protestën.

E kuptoni se sa mbrapa janë apo jo?
Kujton se Lul Basha është në gjendje të ndalë këtë protestë? Nuk e kuptojnë që kjo lëvizje nuk ndalet, e nuk do të ndalet, derisa republika e vjetër e krimit, e korrupsionit, e drogës, e paligjshmërisë, e antikushtetueshmërisë, republika e vjetër që i trajton zgjedhjet si një mundësi për të kapur pushtet dhe jo si tempullin e shenjtë të demokracisë, do të bjerë deri në kullën e fundit.

Republika e Re, për të cilën jemi mbledhur këtu, është në fakt integrimi i vërtetë europian i Shqipërisë, sepse Republika e Re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtetë të lira dhe të ndershme dhe Po, z. Hila, Po, të gjithë ju qytetarë që doni një sistem zgjedhor që ju përfaqëson ju, dhe jo kryetarët e partive në Parlamentin e ardhshëm shqiptar, fuqizimi i qytetarit, kufizimi i pushtetit, janë parime të shenjta, mbi të cilat janë ndërtuar vendet e Europës Perëndimore, vendet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ndërtuar mbi këto parime dhe garantojnë progres, pikërisht sepse në këto vende, qytetari është Zot i fateve të tij, brenda Kushtetutës dhe ligjit dhe pushtetari është shërbëtor i qytetarit, brenda Kushtetutës dhe ligjeve.

Kjo garanton lirinë e çdokujt dhe përmes lirisë, mundësinë e çdokujt për të fituar lumturinë, jetën, shëndetin, të ardhmen e tij apo të saj dhe të fëmijëve, përmes punës së ndershme, përmes punës dhe djersës, dhe jo përmes horrllëkut, krimit, korrupsionit, gënjeshtrës dhe mashtrimit. Dy republikat, janë dy realitete të papajtueshme me njëra-tjetrën.

Ato nuk mund të shartohen me njëra-tjetrën. Duhet të vdesë njëra, që të lindë tjetra. Nuk mund të qëndrojnë përbri njëra-tjetrës. Po kështu, në Republikën e Re, mazhoranca dhe opozita do të kenë të drejta dhe detyrime të reja. Në Republikën e Re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit, përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë; jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë, përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e parlamentit të ri në Republikën e Re. Përndryshe, papërgjegjshmëria, makutëria dhe korrupsioni do të bënin në atë Republikë të Re, të njëjtën që kanë bërë me republikën e vjetër.

E kanë mbuluar vendin me drogë, kanë shkatërruar ekonominë, kanë shkatërruar shpresën e shqiptarëve, duke shkatërruar konkurencën në ekonomi dhe tashmë konkurencën në politikë. Sot, në këtë ditë të bukur, në këtë vend të bekuar nga Zoti, po shpaloset një skandal i mynxyrshëm, që tregon cfarë ndodh kur vendi i dorëzohet qeverisjes së papërgjegjshme të lidhur me krimin dhe mafian.

Mbrëmë, natën vonë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave, që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave ton mbetjeve të rrezikshme që sot mund të gjenden në truallin tonë, prane burimeve tona ujore, e mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve tanë.

Nuk mjaftoi që i drogoi shqiptarët, tani po i helmon shqiptarët. Ju e dini. Kam qenë i kujdesshëm këto dy javë të shpërthimit të skandalit, për të mos arritur në konkluzione të parakohshme. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se genocid ndaj shqiptarëve. Të sjellësh mbetjet e rrezikshme kundër ligjit, ta mbash të fshehtë, t’i depozitosh në tokën e qytetarëve të tu, pa u marrë asnjë autorizim apo leje, në kundërshtim total me ligjin, kjo do të thotë të jesh bashkëpunëtor për genocid kundër popullit tënd dhe në qoftë se kjo është e vërtetë, Edi Rama, unë do t’i bëj thirrje popullit të të trajtojë siç trajtohen ata që bëjnë genocid kundër qytetarëve të vet.

Ndaj, sa nuk është vonë, mos u fshih pas dorëheqjeve dhe shkarkimeve fasadë të shërbëtorëve të tu. Sa nuk është vonë, bëj transparencën e plotë për këtë megaaferë skandaloze dhe të tmerrshme të plehrave, sqaroji gjërat sot, sepse nesër do të jetë vonë.

Ndërkohë, ne jemi e do të jemi këtu të bashkuar, më të vendosur, më të shumtë në numër, çdo ditë, sepse kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk mund të dështojë, nuk mund të tërhiqet. Demokracia nuk mund e nuk do të largohet nga ky vend. Ajo që do të largohet nga ky vend, është oligarkia e lidhur me krimin dhe pushtetin që e solli në zyrat e shtetit.

Media ka një rol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë shqiptarëve transparencën dhe informacionin e plotë.

Sot në këtë muzg të republikës së vjetër dhe në këtë agim të Republikës së Re, thirrja ime ndaj pronarëve të medias është, të shqyrtojnë përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të pushtetit të katërt.

Dy rrugë ka, ne e dimë që gazetarët, operatorët, punonjësit e medias janë me interesin publik, janë me popullin e tyre, me qytetarët e tyre, ndërsa pronarët e medias sot kanë mundësinë, pavarësisht se çfarë kanë bërë deri më sot, të tregojnë qartë se a do të rreshtohen në anën e republikës së vjetër të elitës kriminale, politike dhe ekonomike, që i ka pirë gjakun shqiptarëve në këto katër vite dhe sot po i drogon dhe po i helmon, apo do të rreshtohen në interesin publik, në krahun e Republikës së Re dhe shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë?

Zgjedhja është e juaja.

Qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre, rrugë pas nuk ka, e vjetra do të bjerë, e reja po ngrihet.
Sigal