Mesazhe urimi për Presidentin e ri të Republikës Ilir Meta

4232
Bujar Nishani uron Metën përmes një telefonate
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani përmes një telefonate uroi zgjedhjen në postin e Presidentit të ri të Republikës, z. Ilir Meta. Presidenti Nishani uroi gjithashtu Presidentin e zgjedhur për përmbushjen me sukses të detyrës së lartë të Kreut të Shtetit.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka uruar presidentin e porsazgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Metën
Ai ka thënë se nën lidershipin e tij dhe bashkëpunimin që kanë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë që të zgjerohet edhe më shumë në funksionin e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies rajonale me qëllim që ta përmbushin synimin e përbashkët strategjik të integrimit evropian, transmeton, Indeksonline.

Urimi i plotë i Ali Ahmetit për Ilir Metën:
I nderuar zoti President,
Duke mirëpritur zgjedhjen Tuaj në postin President i Republikës së Shqipërisë, më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit që po ndërmerrni. Ne njihemi gjatë dhe kemi punuar bashkë në kohëra vendimtare për kombin dhe rajonin. Andaj, jam i bindur që Ju, me maturinë, urtësinë dhe eksperiencën Tuaj, do të arrini të adresoni me sukses sfidat me të cilat po përballet sot shteti shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi. Uroj, që nën lidershipin tuaj, partneriteti dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të thellohet dhe zgjerohet në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies rajonale për të përmbushur synimin tonë të përbashkët strategjik të integrimit evropian. Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për Presidentin Bujar Nishanin për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Maqedonisë dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik duke zbatuar politika të fqinjësisë së mirë për të gjitha vendet në hapësirën tonë rajonale. Duke shprehur edhe një herë urimet e mia, Ju lutem pranoni, zoti President Meta, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ramush Haradinaj urimet më të mira për Metën
I dashur Ilir, 
Urimet më të mira për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Shqipërisë! Jam i bindur se Ju do të punoni me përkushtim në zhvillimin dhe avancimin e Shqipërisë si dhe në mbrojtjen e interesave shtetërore, por edhe kombëtare të shqiptarëve kudo që janë. Mbetem me shpresë po ashtu se zgjedhja e Juaj, do të kontribuojë edhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë! Po ashtu shpreh mirënjohjen time për punën e shkëlqyer të Presidentit Nishani!

Meta President, reagon për herë të parë ambasada e SHBA
Urimi i parë nga përfaqësitë e huaja për Ilir Metën si President ka ardhur nga ambasada amerikane në Tiranë. Kështu, përmes një njoftimi të shkurtër në “Facebook”, Ambasada e SHBA-ve uron Ilir Metën si President. Ajo pret që Meta të çojë vendin përpara duke zbutur sfidat që ka vendi.

Deklaratë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara
Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta për zgjedhjen e tij si Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë. Ne mirëpresim bashkëpunimin në vijim me udhëheqësit shqiptarë, për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi dhe për të krijuar mundësi për popullin shqiptar

Presidenti i Senatit të Italisë, z. Pietro Grasso, mesazh urimi z. Ilir Meta pas zgjedhjes së tij President i Republikës së Shqipërisë 
Presidenti i Senatit të Italisë, z. Pietro Grasso, i ka dërguar një mesazh urimi z. Ilir Meta pas zgjedhjes së tij President i Republikës së Shqipërisë. Pasi e përgëzon për këtë detyrë të re, z. Grasso shpreh bindjen se marrëdhëniet e mira mes Italisë dhe Shqipërisë do të përmirësohen edhe më tej gjatë mandatit z. Meta në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. 

“I dashur President Meta, dëshiroj sinqerisht t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si President i Republikës së Shqipërisë dhe të uroj çdo sukses për ju personalisht dhe për popullin shqiptar. Jam i sigurt se marrëdhëniet e respektit të ndërsjellë, miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona do të rriten më tej gjatë mandatit tuaj presidencial. Duke shprehur konsideratën time më të lartë, me respekt Pietro Grasso”, – shkruhet në mesazhin e Presidentit të Senatit të Italisë dërguar Presidentit të sapozgjedhur të Republikës, z. Ilir Meta. 

Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, uron Presidentin e Ri të Republikës, Ilir Meta
Në një konfirmim në faqen e saj zyrtare, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, ka uruar Ilir Metën, si President i sapozgjedhur i Republikës së Shqipërisë.

Më poshtë gjeni statusin e saj.
“Urime Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë! Më shumë qetësi e begati do të ketë ky vend nën drejtimin tënd. Vota ime gjithmonë për ty, pasi vota për Ilir Metën është votë për një Shqipëri të begatë dhe me stabilitet. Faleminderit për mbështetjen e pakursyer ndaj rinisë shqiptare.”
Sigal