Mesazh i Presidentit Ilir Meta me rastin e 105-Vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë

594
Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,
105-Vjet më parë, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, u krijuan Forcat tona të Armatosura.
Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam nderin e veçante që t’ju përcjell të gjithëve ju ndjenjat e konsideratës time më të lartë për përkushtimin dhe sakrificat tuaja në shërbim të atdheut dhe interesave tona kombëtare.
Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët e ushtarakëve tanë, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe mungesën e bijve, prindërve dhe bashkëshortëve të tyre.
Në këtë përvjetor të shënuar historik ne kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga Mehmet Pash Derralla deri në ditët e sotme. 
Në mënyrë të veçantë përkulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit tonë.
105-Vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura na gjen sot anëtarë të NATO-s.
Ndaj një falënderim e mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare.
Në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend. 
Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike.
105-Vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shtetit Shqiptar më jep mundësinë të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për zhvillimin dhe modernizimin e tyre.
Ky moment historik më nxit, gjithashtu që të inkurajoj Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe gjithë aktoret e tjerë në vend që të vlerësojnë dhe trajtojnë me kujdes në rritje ushtarakët shqiptarë.
Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë! 
Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën në emër të Atdheut!
Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë, kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

Ilir Meta 
President i Republikës së Shqipërisë
Sigal