Mes dy ngjarjeve ekstreme

407
Sigal

Të bën përshtypje sa pak merremi e sa pak vend i japim ne të bukurës, sa pak i përkulemi asaj, sa pak vend u japim për t’u shprehur apo për t’u shfaqur talenteve në art, muzikë e sport

Në fillim u mësua se ishte mbytur një person në Liqenin e Tiranës. Pastaj u mësua se një fëmijë ishte shpëtuar. Pastaj u mësua se njeriu që e kishte shpëtuar, ishte pikërisht ai që u mbyt. Shkurt, ish-aktori Pandi Toçe flijoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e një fëmije që po mbytej. Ky ishte lajmi që u konfirmua nga një gazetar se njeriu që u mbyt nuk ishte njeri i zakonshëm, por një hero. Dhe ai na krijoi një ndjesi sa të bukur (akti i sakrificës sublime) aq edhe dëshpëruese, sepse ajo përfundoi me sakrifikimin e një jete. Kishim kohë që ishim të ngarkuar me emocionet negative të ngjarjeve të rënda të kohëve të fundit, si supervjedhja e bankës, supervrasja e bankierit, politizimi i tejskajshëm i ngjarjeve, dhuna vizive e verbale e politikanëve e pushtetarëve, etj.. Njerëzit vërtiten në vorbullën e imazheve të shëmtuara të sharjeve e fyerjeve pa fund, sa majtas e sa djathtas, ajo që është e bardhë për njërën palë, është e zezë për tjetrën, ajo që është e bukur e fisnike për njërën palë, është e shëmtuar e banale për tjetrën… Dhe ja ku ndodh një ngjarje, tragjike në thelb, por e bukur në domethënien e saj, në mesazhin që la. Pandi Toçe sakrifikon jetën e tij për të shpëtuar atë të një fëmije. Një ngjarje kjo që nuk ka dykuptimësi, që nuk ka vend për asnjë lloj debati: ai akt tragjik, por edhe i bukur u ndje thellë nga të gjithë. Ai fëmijë që shpëtoi mbeti si një lule që vazhdon të çelë në kujtimin e përjetshëm të Pandi Toçes. Por më tej nuk u la koha e duhur për ta ndjerë sa e si duhet atë, sepse një tjetër ngjarje tronditi psikikën tonë, krejt e kundërt me ngjarjen që përmendëm më sipër: Një pedofil i punësuar në zyrën e një deputeti socialist kërkon marrëdhënie seksuale me një minorene, një jetime. U tronditëm aq shumë, saqë ngjarjen e parë, në një farë mënyre, e lamë mënjanë, diku në një qoshe të kujtesës, mbase për t’iu kthyer sërish. Po duket se qenka e vështirëm mbase e pamundur, sepse pedofili i Sarandës na shfaqet çdo ditë, një herë në gazetë e një herë tjetër në televizion. Fytyra e së keqes na del çdo mëngjes e çdo darkë. Dhe sikur të mos duash ta shikosh, ajo të duket sikur të thotë: Jam këtu! Këtu! Unë u duhem medieve, ato kanë nevojë për mua. Në rastin në fjalë, të bën përshtypje ky ngulmim i përditshëm për ta parë të keqen me çdo kusht, për të mësuar mbi jetën e tij, çfarë i kishte thënë, kush ishin miqtë, sa rrogë merrte, si hante, si vishej…Rrëmbehemi e shpenzohet aq energji për t’u marrë me të keqen, me të shëmtuarën saqë kjo energji, po të drejtohej në kahun e duhur, mund të fitonte vërtet vlera pozitive. (E ç’na duhen hollësira të tilla e detaje që u duhen vetëm specialistëve të policisë, kriminalistikës e me radhë. Më kujtohet kur u kap një superbandit që kishte bërë vrasje spektakolare. S’mbeti njeri pa folur për të, sidomos mediet. Dhe ai dilte e pozonte për gazetarët, televizionet. Njëherë i veshur me të kuqe e njëherë tjetër me të bardha. Edhe pas hekurave të gjykatës, ashtu i bukur, i veshur e i ngjeshur, ai dukej si ndonjë aktor i Hollivudit, si ndonjë top model që ndodhej rastësisht atje pas hekurave. E kështu, teksa rrezatonte, ai gati sa nuk po kthehej në një simbol, në një model. E ç’model, se!  Çdo gjë, kur e kalon masën, ka rrezik të kalojë në të kundërtën e saj. Të bën përshtypje sa pak merremi e sa pak vend i japim ne të bukurës, sa pak i përkulemi asaj, sa pak vend u japim për t’u shprehur apo për t’u shfaqur talenteve në art, muzikë sport. Sa larg e sa ftohtë rinë institucionet e shtetit. Dhe ndodh që për pak kujdes, për pak ngrohtësi, për pak vëmendje ikin nga Shqipëria sportistë, ikin kampionë bote e veshin fanellat e skuadrave të huaja. Shkëlqen mundësi Guri në Bullgari, shkëlqejnë shtangistët tanë në Greqi, boksierët tanë në Gjermani. (Në Shqipëri s’ka palestra!) Po kështu  ikin shkencëtarë, ikin intelektualë. Për çdo vit mijëra të rinj regjistrohen nëpër universitete të huaja. Çdo vit qindra e qindra të rinj mbarojnë studimet në universitetet jashtë Shqipërisë, por ata nuk kanë aspak dëshirë të kthehen në Shqipëri. Shumë artiste këngëtarë, balerinë, piktorë, etj.,janë në aktivitet të suksesshëm jashtë kufijve të Shqipërisë e lista do të ishte tepër e gjatë. Ata kanë arritur të krijojnë jetën e tyre atje, por pyetja që duhet bërë do të ishte: Deri kur do të vazhdojë shteti shqiptar që kemi ndërtuar ne të jetë kaq i ftohtë e indiferentë ndaj vlerave, ndaj talenteve, ndaj të bukurës?

Asllan SARAÇI