Mes demokracisë dhe diktaturës/ Kryeministri Rama, adhuron modelin e Musolinit dhe deklaron se do të zhdukë opozitën nga Shqipëria

374
Sigal

Sa afër është Shqipëria përpara një lufte civile apo instalimit të diktaturës fashiste?

Kryeministri Rama vetkrahasohet si Musolini, do zhdukë opozitën

Kryeministri Edi Rama dje nga Librazhdi nuk ka hezituar ta krahasojë veten me Duçen, teksa dëshiron që në Shqipëri ai të qeverisë pa opozitë, pa kundërshtarë, të ndërtojë një shtet-parti, një shtet-individ. Duke folur për djegien e mandateve të opozitës, kryeministri Rama ka shkuar larg duke parathënë vdekjen e saj totale, ashtu si një parti italiane në vitet e para të shekullit që shkoi. Kryeministri Rama: ‘Në vitin 2017 ata i humbën zgjedhjet, duke qenë në qeveri. Ne mundëm Saliun, duke qenë në pushtet dhe jo më Lulin me ‘fallxhoren’. Ata do të shkrihen si një parti në Itali në vitin 1920. Ashtu do të shkrihen edhe ata. Kjo histori duhet të marrë fund. Zgjodhën të tradhtojnë popullin që votoi për ta. Tani djegin mandatet dhe u thonë njerëzve, ne jemi si ju. Noc Rrokun do merrni Lul. Se kush do marrë Nocin, se kush do marrë Rrokun, zgjidheni me Monikën, – tha Rama. Në fakt, nuk është hera e parë që ai bën krahasime me kohën kur në Itali u vendos fazhizmi i Musolinit, pasi opozita u tërhoq në malin Aventino. Ai e përmendi këtë fabul edhe në intervistën në Rai me Bruno Vespën edhe pastaj në një intervistë në tjetër. “Në Shqipëri opozita është jashtë parlamentit. Ata janë tërhequr në ‘malin Aventino’, siç thoni ju italianët në një shprehje e përdorur gjatë epokës së regjimit fashist në Itali, pas largimit të disa deputetëve nga parlamenti, pasi ishin kundër fashizmit, por unë nuk jam Duçja”, tha ai për të përditshmen“Libero” në një intervistë dhënë për drejtorin e kësaj gazete, Pietro Senaldi. Kryeministri Rama, duke dashur të shuajë opozitën, kërkon që të shkatërrojë demokracinë. Vetëm në vendet fashiste udhëheqësi kërkon që të zhdukë opozitën, si kundërshtare politike. Problemi i demokracisë është kryeministri Rama, që ka marrë peng parlamentin dhe jo opozita, që braktisi parlamentin.

Kryeministri Rama fyen kryebashkiaken, duke i përgojuar edhe foshnjën e porsalindur

Kryeministri Rama nuk përmbahet më, nuk ka më as etikë, as edukatë, as respekt për kundërshtarët politikë, por, me karakterin e fjalës së tij, gjen gjithmonë batuta, jo për t’i kritikuar, por, përkundrazi, t’i injorojë, t’i përbuzë, t’i fyejë, pa u përmbajtur në asnjë normë morale, ligjore e qytetarie. Kryeministri në takimin me rilindësit në Rrajcë të Prrenjasit, ka fyer publikisht kryebashkiaken Miranda Rira, duke i përmendur foshnjën e porsalindur. Kryeministri Rama: Kam besim dhe bindje që do t’i japim mundësinë Mirandës që të fokusohet vetëm tek bebja pas 30 qershorit.

Ish-ministrja Klajda Gjosha: Kryeministri shprehu urrejtjen për një nënë që sapo ka lindur

Fjalët e Kryeministrit në Prrenjas për kryetaren e bashkisë, e cila sapo ka lindur fëmijën e dytë, tregojnë qartë urrejtjen që ky njeri mund të ketë për një nënë që është bekuar me një fëmijë! 
E kuptoj që Kryeministri nuk e ka idenë se çfarë do të thotë të rrisësh një fëmijë, madje nuk pretendoj që as të kuptojë sakrificën e një nëne për t’iu dedikuar punës njësoj si fëmijës së saj. Është normale të sillesh në këtë mënyrë kur mendja është e pushtuar vetëm nga karrigia dhe etja për pushtet. E rikujtoj Kryeministrin se nuk do të ketë kohë deri në Qershor për t’u kujdesur për Mirandën dhe fëmijën e saj, sepse shqiptarët do të kujdesen që ai ta dorëzojë postin shumë më përpara se sa Qershori! Dhe kështu do t’i japin kohë të mjaftueshme që në vend të pushtetit, të fillojë të mësojë të respektojë gratë shqiptare dhe fëmijët e tyre!