Merren të pandehur, KLD pezullon 3 gjyqtarët e Apelit në Durrës

552
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, zhvilloi dje mbledhjen plenare, ku ndër të tjera pezulloi nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës, Petrit Çeno, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri. Ky vendim erdhi, pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 6 shkurt 2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve. Duke qenë se një nga gjyqtarët e pezulluar ushtron edhe detyrën e kryetarit të Gjykatës së Apelit Durrës, Këshilli caktoi gjyqtarin Desart Avdulaj, për të ushtruar përkohësisht detyrën e kryetarit së kësaj gjykate. Prokuroria i akuzon tre gjyqtarët se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme udhëtime jashtë vendit, madje në një rast kanë ndjekur edhe një ndeshje futbolli në Spanjë. Për këto përfitime, sipas organit të akuzës, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të një biznesmeni, edhe ky nën hetim nga Krimet e Rënda. Si prova, prokuroria radhit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë, si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin. Sipas hetimeve të prokurorisë, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Sigal