Merr fund mbretërimi i Haki Çakos në Policinë e Shtetit, komandohet Rebani Jaupaj. Reagimet e politikës

434
Lirohet nga detyra kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako 
Propozohet largimi i kreut të policisë së shtetit, reagojnë Lulzim Basha, Petrit Vasili dhe Fatmir Xhafaj
Kryelajmi i ditës së djeshme ishte lirimi nga detyra i kreut të policisë së shtetit. Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave u lirua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako.

Në vend të tij është komanduar zëvendës/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Rebani Jaupi, i cili do të qëndrojë deri në zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. 

Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e Çakos në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Fatmir Xhafaj: Kemi nevojë për energji të reja dhe rezultate konkrete
Në vlerësim të punës së ish kreut të policisë së shtetit, ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj theksoi në fjalën e tij se “Në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune”.

“Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit. Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërish duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit”, ka reaguar në fjalën e tij ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Petrit Vasili: Edhe i “suksesshëm”, edhe e shkarkuan!
Nëpërmjet një statusi në facebook Petrit Vasili iroizon lirimin nga detyra të Haki Çakos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke nënkuptuar se nëse je i suksesshëm si mund të të shkarkojnë nga detyra? “Gjithë ajo droge pa fund në kohën e Çakos ishte një arritje e “paparë” dhe me paratë e së cilës kryeministri bleu zgjedhjet. Çfarë kryeministri mosmirënjohës, si e shiti ish drejtorin me të cilin priu dhe bë njësh me bandat dhe trafikantët ne 25 qershor dhe me të cilin na vuri në faqet e para të të gjithë medias botërore.”

Lulzim Basha: Haki Çako ‘kokë turku’, ja 3 drejtuesit e drogës
Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas lirimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Sipas tij, Çako është një ‘kokë turku’, pasi kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj.

“Është një hap tejet i vonuar, është një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi Policinë e Shtetit. Haki Çako është një ‘kokë turku’, sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj”, tha Basha. 
Sigal