Merr fund maratona, zgjidhen anëtarët e KLP dhe KLGJ

672
Përcaktohen kandidatët joprokurorë e jogjyqtarë. Nëse nuk votohen në Kuvend, do të quhen automatikisht pjesëtarë të organeve të reja
I afrohet fundit saga e ngritjes së Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të paktën për anëtarët që nuk vijnë nga radhët e prokurorisë dhe gjykatave. Pas rrëzimit me dy votimet e para në Parlament, ku nuk u siguruan 93 vota pro, nënkomisioni ad-hoc përsëriti dje për herë të tretë shortin manual dhe përzgjodhi listën me emrat e 10 kandidatëve jogjyqtarë e joprokurorë për 5 vende në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për anëtarë të KLGJ u përzgjodhën me short Alban Toro e Fatmira Luli nga avokatia, Maksim Qoku, Erjon Muharremaj nga pedagogët, ndërsa kandidatja e shoqërisë civile është Naureda Llagami. Për anëtarë të KLP kandidatë janë Tartar Bazaj e Nurihan Seiti nga avokatia, Sandër Beci e Genti Ibrahimi nga pedagogët, si dhe kandidati Alfred Balla nga shoqëria civile. 

Kryetari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se procesi po ecën në përputhje me ligjin, duke hedhur poshtë kritikat e opozitës. Qysh në fillim të mbledhjes, u përjashtua nga shorti kandidati Kozma Jano, pasi u lexua një vendim i Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, se për të do të nisë një hetim i thelluar. Opozita tha për të se ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu, deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kanë dhënë mirëkuptim dhe e kanë kritikuar fort procesin, duke publikuar shumë të dhëna, sipas të cilave, pjesa dërrmuese e kandidatëve nuk plotësojnë apo shkelin kriteret ligjore. Deputeti Oerd Bylykbashi tha se ky proces është një farsë, që po përsëritet tre herë dhe se kandidatët nuk plotësojnë kushtet ligjore, me lidhje të afërta me qeverinë socialiste, kanë një mori shkeljesh dhe disa janë përjashtuar nga ONM-ja (Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit) dhe janë rifutur në garë. Opozita ka theksuar se midis të kualifikuarve janë edhe dy emra avokatësh, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, të cilat sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, kanë marrë pjesë, e para si gjyqtare dhe e dyta si prokurore në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991. Komisioni përjashtoi nga procesi javën e kaluar kandidatin Altin Hazizaj, për shkak të fakteve shtesë për dënime të tij të mëparshme nga drejtësia. Hazizaj ka deklaruar më parë se ai nuk ishte njoftuar nga drejtësia dhe as ishte në dijeni që gjykatat e kishin dënuar dy herë me vendim të formës së prerë. Lista e tretë me kandidatët do t’i niset Parlamentit për votim në seancën e së enjtes. Pritet që edhe kjo listë e tretë të rrëzohet nga Kuvendi, pra të mos sigurojë 2/3 e votave. Sipas ligjit, nëse nuk ka mirëkuptim edhe këtë herë, lista konsiderohet e miratuar. Ligji parashikon tre raunde votimi me 2/3 për miratimin e kandidatëve në Parlament. Nëse parlamenti nuk miraton për 3 herë rresht listën e paraqitur, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.

Ndërkohë, kandidatët për anëtarë të KLGJ-së e KLP-së nga radhët e prokurorëve e gjyqtarëve ndodhen në procesin e vetingut dhe më pas asambletë përkatëse duhet të mblidhen për të vendosur 6 prokurorët dhe 6 gjyqtarët, të cilët do të jenë pjesë e organeve të reja të sistemit të drejtësisë. 

KLGJ
1 – Alban Toro
2 – Fatmira Luli
3 – Maksim Qoku
4 – Erjon Muharremaj
5 – Naureda Llagami
KLP
1 – Tartar Bazaj
2 – Nurihan Seiti
3 – Sandër Beci
4 – Genti Ibrahimi
5 – Alfred Balla
Sigal