Menaxhimi fatkeqësive/ OSBE dhe Ministria e Brendshme mbajnë konferencë

407
Në një konferencë të mbajtur të hënën nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Brendshme, ekspertët paraqitën dhe diskutuan rreth një raporti me rekomandime për përmirësimin e masave për zvogëlimin e riskut të fatkeqësive.
Rekomandimet e këtij raporti përfshijnë futjen e standardeve ndërkombëtare të trajnimit për përgatitjen për emergjenca, krijimin e një strukture qendrore të komunikimit për emergjencat, si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar për emergjencat shëndetësore. Raporti gjithashtu rekomandon përmirësimin e kapaciteteve teknike në parashikimin e kushteve të rënda të motit, mbrojtjen e argjinaturave dhe digave, si dhe identifikimin dhe zbulimin më të mirë të mallrave të rrezikshme.
Konferenca Kombëtare “Analiza e Mangësive për Menaxhimin e Fatkeqësive në Shqipëri” u hap me fjalime nga Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton; Zëvendësministri i Brendshëm, Stefan Çipa; dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.
“Reduktimi i riskut nga fatkeqësitë do të thotë të shpëtosh jetë. Këtë verë, zjarret në pyje shkaktuan dëme të mëdha në shumë qarqe të vendit, duke kërcënuar shumë shtëpi dhe mjetet e jetesës; vjet, përmbytjet i morën jetën dy qytetarëve. Ne duhet të veprojmë: forcimi i kapaciteteve menaxhuese dhe reaguese ndaj fatkeqësive është një detyrim; Shqipëria nuk mund të presë, sepse fatkeqësisë natyrore apo të shkaktuara prej njeriut godasin pa paralajmërim”, tha Wilton.
Indeksi i Risqeve Globale i 2016-ës i publikuar nga Instituti për Mjedisin dhe Sigurinë Njerëzore të Universitetit të OKB-së dhe që mat mungesën e kapaciteteve reaguese, e rendit Shqipërinë në pozicionin më të keq në Evropë, një fakt që i jep një shtysë më të madhe nevojës për zbatimin e rekomandimeve të raportit të prezantuar në konferencën e së hënës.
“Partneriteti ynë është thelbësor”, tha Wilton. “Duke punuar së bashku si një trup i vetëm, zbatimi i këtyre rekomandimeve do të shpëtojë jetë si dhe do të forcojë sigurinë dhe ardhmërinë e brezave të ardhshëm”.
Raporti u hartua nga ekspertë shqiptarë me asistencën e OSBE-së.
Sigal