“Mëkatarët” e politikës që do puthin dorën e Papës

478
Sigal

Ardhja e Papa Françeskut në Tiranë, tashmë është një realitet orësh, që po e përjetojnë të gjithë. Disa e përjetojnë me masa sigurie, disa me kuriozitet, disa me shpresën se do ketë shanse të reja ndryshimi për këtë popull të vuajtur. Disa me egoizmin se po vlerësohen prej Vatikanit si “qeverisje e politikë europiane”. Disa po e presin e do ta përcjellin si “CV” personale, me djallëzi sharlatanësh që do kollarisen e do ngjiten pas turmës shoqëruese të Papës, për të përfituar prej kësaj vizite, duke bërë foto, duke tentuar t’i puthin dorën, apo duke qenë pranë me të. E pse jo, disa do ta presin e do ta përcjellin edhe me heshtje, indiferencë e mosbesim, me mendimin se në punët e këtij vendi dhe jetën e këtij populli, vizita e Papa Françeskut nuk ndryshon asgjë, për aq kohë sa në krye janë mëkatarët. Dje, ndërsa bisedonim në lidhje me vizitën e Papa Françeskut, qarkullonte mendimi se Papa, nuk duhet të jetë pjesë morale e nderimit pritës, prej individëve të kësaj klase politike e shtetërore, që e ka katandisur këtë vend e këtë popull në gërmadhë dhe turmë të mjeruar social-ekonomike, troç që e ka tjetërsuar në geto në mes të Europës. Pse? Sepse në dy dekadat e fundit, në Shqipëri kanë ardhur 2 drejtues të lartë të Vatikanit, konkretisht papa Vojtila e tashmë, Papa Françesku. Të dy klerikët e lartë të “botës “katolike”, janë pritur e do priten prej pothuajse të njëjtëve politikanë shqiptarë, të cilët duke u “puthur” dorën, kanë kërkuar e do të kërkojnë “bekimin” për t’u shërbyer shqiptarëve. A e ka mbajtur klasa politike e qeverisëse “lutjen” që ka bërë përpara Papa Vojtilës?  A do ta bëjë realitet, lutjen që do të bëjë përpara Papa Françeskut?

Mëkatarët përgjërohen, por nuk pendohen

Ka një tregues në qëndrimin e mëkatarëve: Sa herë gjenden zyrtarisht, ose detyrohen të gjenden për efekt populizimi përballë “shtëpisë” apo “baballarëve” të Zotit, ata gjunjëzohen e kërkojnë faljen e mëkateve, por përsëri vazhdojnë mëkatet,. Të tillë janë prezantuar në praktikë dhe politikanët e qeverisësit tanë. Prej 20 vjetësh, ata po bëjnë mëkate ndaj jetës së shqiptarëve e interesave kombëtare dhe kërkojnë faljen e mëkateve e… përsëri vazhdojnë të bëjnë mëkate. Ata kanë bërë e vazhdojnë të sillen, sikur pendohen për mëkatet që kanë bërë. Por akti i tyre është vetëm një vijueshmëri hipokrizie, me bazë mungesën e moralit e të respektimit të “Atit e Shpirtit të Shenjtë”.  P.sh, politikanët tanë, në këto 22 vite kanë bërë shumë mëkate. Në ditë e ngjarje të shenjta, ata shkojnë e falen përpara Zotit dhe betohen për “mirësi” në punët që do bëjnë në shërbim të vendit e të popullit. Por bëjnë të kundërtën. Sa dalin prej faljes së mëkateve dhe betimit për Zotit dhe prej bekimit të dorës e fjalës së Zotit, ata përfshihen sërish në mëkate, duke shkelur betimin hyjnor. Nëse ka “specie” politikanësh në Botë, që e njeh Zotin zyrtarisht, që e respekton atë me hipo9krizi dhe e përdhos faktikisht, këta janë politikanët dhe qeverisësit shqiptarë.

Më shumë mbrohen politikanët shqiptarë, se Papa Françesku

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Brendshme, deklarohet se, do të ketë masa të shumta e të forta për të garantuar jetën e Papa Françeskut. Madje, për këtë siguri është ngritur edhe një grup pune, me specialistë e mjete të sofistikuara nga policia, Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile. Masat e sigurisë duhen. Në rastin konkret edhe pse ndërtohet një rrejt sigurie, Papa Françesku nuk është i rrezikuar prej shqiptarëve, por i nderuar e i mirëpritur, sepse sjell frymën dhe besimin e Zotit. Ata që ruhen në rastin konkret në këtë vizitë madhore, janë politikanët shqiptarë, sepse ata janë mëkatarët që ia kanë plasur buzën e ia kanë nxirë jetën këtij populli. Papa do ketë vetëm përqafime e nderime prej shqiptarëve, ata që kanë mallkime e pështirosje janë politikanët që me hipokrizinë e tyre do nxitojnë të puthin dorën e Papa Françeskut, me kamera televizive fiksuar tek buzët e tyre që bëjnë sikur përcjellin paqe e lutje mirësie, kur në fakt, ato buzë politikanësh përcjellin përditë vrer e mëkate. Papa Françesku, zyrtarisht duhet të rrethohet me masa sigurie, paçka se për të, nuk përbëhet asnjë rrezik prej shqiptarëve, mbasi nuk është ai mëkatari i jetës së shqiptarëve, por njeri që lutet të mbarojnë hallet, të ndalen mëkatet ndaj këtij populli. Ditën që do të jetë papa në Tiranë, do të shikoni që më tepër do jetë të mbrojtur politikanët shqiptarë, se sa Papa Françesku, sepse ata janë mëkatarët.

Ja mëkatarët e politikës, që do puthin dorën e Papës

Sipas protokollit zyrtar shqiptar, thuhet se është bërë një listë e qeveritarëve, politikanëve e klerikëve të lartë shqiptarë, të cilët dot të takohen me Papën e do të lejohen t’i puthin dorën atij e prej Papës do të marrin bekimin për “punë më të mira” në shërbim të popullit. Sipas listës, emërore të përcaktuar nga protokolli zyrtar i Shtetit Shqiptar, ata që do të puthin dorën e Papa Françeskut, janë të gjithë politikanë, qeveritarë e ish-qeveritarë që kanë bërë mëkate ndaj popullit e vendit. Ja cilët janë disa prej tyre

– Bujar Nishani

– Edi Rama

– Sali Berisha

– Ilir Meta

– Lulzim Basha

– Anastas Janullatos

– Ritvan Bode

– Jozefina Topalli

– Tritan Shehu

Pesë lutje, drejtuar Papa Françeskut

1. Stafi organizator i vizitës së Papa Françeskut, të kërkoj vendosjen e një foltoreje publike në mes të Tiranës, në të cilën të shkojnë të ulen në gjunjë e të falin mëkatet politikanët e lartë shqiptarë.

2. Papa Françesku, të mos pranojë të lejojë t’i puthin dorën politikanët shqiptarë, mbasi quhet ndotje, por të cilësohen publikisht prej Tij, si mëkatarë të pashpirt të popullit.

3. Papa Françesku, nuk duhet t’i bekojë, por duhet t’i mallkojë politikanët shqiptarë për mëkatet që kanë bërë ndaj interesave të popullit dhe të vendit.

4. Papa Françesku, duhet të kërkojë prej politikanëve të lartë shqiptarë, që në emër të Zotit të rrëfehen për mëkatet e vëra dhe ulur në gjunjë përpara Tij e shqiptarëve në mes të sheshit në Tiranë, të betohen se do të heqin dorë nga mëkatet.

5. Papa Françesku, duhet të lutet në emër të Zotit, që shqiptarët të shpëtojnë nga “raca” e keqe klasës politike që po mbanë peng e po masakron shqiptarët

Përparim HALILI