Mehmetaj në Komisionin e Medias dhe Edukimit: Të marrim kohë për kalimin e amendamenteve në Parlament, duhet konsultimi me grupet e interesit

476
Sigal

Fjala e Deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj në Komisionin e Medias dhe Edukimit, për amendamentet e LSI-së për buxhetin e Arsimit

Mazhoranca në Parlament vendosi që nuk ka asnjë domosdoshmëri që këto propozime që ne kemi bërë ti kalojmë në mënyrë të përshpejtuar për të zgjidhur një ngërç të madh, qoftë edhe nëse pala tjetër nuk do të ishte dakord me këtë zgjidhje por do të kishte një zgjidhje më të mirë. Përderisa në atë kohë që ishte  vërtetë piku kryesor i protestës së studentëve, mazhoranca nuk e pa të arsyeshme ta trajtonte me procedurë të përshpejtuar, çfarë e nxit sot që të mos na lërë kohën e duhur për tu konsultuar me gjithë grupet e interesit dhe për të marrë vendimin e duhur. Unë e them me bindje që është e rëndësishme që nëpërmjet këtij amendimi që kemi bërë, ku në një formë të drejtë është kërkesa e studentëve, por e thënë me firmën tonë në pamundësi të tyre për të mbledhur  në një kohë të shpejtë 20 mijë firma. Por kjo do të shërbejë  pa dyshim për të hapur një debat konstruktiv, për të përmirësuar ose për të bërë një ligj të ri. Këtë nuk e vendosim dot sa jemi ne këtu. Kemi nevojë të konsultohemi me pedagogë. Kemi nevojë të konsultohemi me student, me grupe të tjera interesi, gjë që nuk e bëjmë dot brenda ditës së nesërme. Vetëm diskutimi besoj unë që do të kemi ne me njëri-tjetrin dhe me ministren, do të na marrë një ditë të plotë. Pastaj duke menduar studentët, që janë të shumtë, ata që kanë qenë duke protestuar, pedagogët po ashtu që përfaqësojnë drejtime të ndryshme mbi mënyrën sesi duhet të shkojë arsimi I lartë. Prandaj duhet të marrim kohën e duhur dhe jam e bindur që  nëse bëjmë një punë intensive, të enjten tjetër do të kemi mundësi që ta kalojmë në Parlament dhe amendimin.