Mehmetaj: Me LSI-në në opozitë, qeveria të matet mirë për veprimet që do bëjë

418
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, gjatë nj prononcimi për mediat është shprehur se rezultati i arritur nga LSI në zgjedhjet e 25 qershorit, ishte i shkëlqyer duke marrë parasysh kushtet në të cilat u mbajtën ato. Sipas Kejdit, LSI është e vetmja forcë politike që ka arritur një rritje domethënëse nga njëra palë zgjedhje në tjetrën, pra nga 2013-a e deri sot, me një rritje prej 50 mijë votash. Mehmetaj theksoi se në zgjedhjet e 25 qershorit, qytetarët nuk votuan të lirë, por të shtyrë nga dhuna, nga krimi, i cili është bërë palë me shtetin, me Policinë e Shtetit. “Kemi një rritje të numrit të mandateve dhe për këtë, në radhë të parë, dua të falënderoj të gjithë ata votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për ne, për LSI-në, ata janë të gjithë heronj. Ata vendosën që të ishin me të drejtën dhe me të lirën, në një kohë kur e drejta dhe e lira u mohuan nga shteti, nga ai shtet që u bë palë me shtetin”, u shpreh Mehmetaj. Deputetja theksoi se me LSI në opozitë qeveria të matet mirë për veprimet që do bëjë. Ndërsa shtoi se ka prova dhe fakte, për blerje vote si gjatë fushatës ashtu edhe ditën e zgjedhjeve. Ajo shton se LSI nuk ka pasur synim agravimin e situatës dhe për këtë qëllim nuk ka kryer asnjë veprim gjatë ditës së zgjedhjeve. “ Ne kemi qenë këtu edhe para zgjedhjeve, kjo nuk është një histori të cilën ne po e themi tani. Ju si media, si gazetarë besoj jeni të ndërgjegjshëm për këtë gjë, kur në mëngjes kur keni lexuar shtypin e ditës apo edhe kur na keni pritur në studiot tuaja televizive, besoj keni dëgjuar të njëjtat fjalë të thëna prej nesh. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që presioni që u zhvillua nga administrata shtetërore mbi mbështetësit e LSI-së ka qenë në nivele tejet të ekzagjeruar dhe të papranueshme për një vend demokratik. Ishim këtu kur ne denoncuam raste flagrante të pushimit nga puna të njerëzve ë cilët nuk kanë asnjë lloj impakti politik, apo në marrjen e votës dhe e vetmja arsye se përse ato shkarkoheshin ishte sepse ata ishin votues të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe jo aktivistë politikë të saj. Dhe presioni ka arritur deri në atë pikë, saqë nuk bëhet më vetëm për vendin personal të punës, apo vendin e punës së familjarit të ngushtë, por bëhej fjalë edhe për kushëririn e dytë apo të tretë, nëse nuk do të votoje për Partinë Socialiste që ajo të ishte partia në pushtet. Dhe fatkeqësisht palë e kësaj loje u bë edhe Partia Demokratike”, deklaron Mehmetaj.
Sigal