Sigal

Fjala e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj gjatë takimit me strukturat e LSI Tiranë.

Të nderuar miq, drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Tiranës. Nuk është e largët për ne fushata e vitit 2017 kur ne këta që ishim në këtë sallë bashkë me miqtë tanë duke qenë një parti që pa diskutim vëmendjen e ka tek njerëzit dhe mendon për njerëzit morëm një vendim tejet të rëndësishëm atë të të thënurit jo të një pushteti që buron nga krimi, të një pushteti që buron nga korrupsioni. Ishim ne që vendosëm ti dalim ballazi Edi Ramës dhe Rilindjes, për ti thënë jo të gjithë luftës që bëri dhe vazhdon të bëjë ndaj qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.

Bashkë kemi zhvilluar një fushatë të vështirë, duke u përballur me të fortë, me gangsterë që nuk pyesnin për askënd dhe për asgjë. Bashkë u përballëm me para të pista, që u përdorën për të blerë votat shqiptarët, bashkë u përballëm edhe me drejtorë dhe ministra të cilët zyrat e shtetit i përdornin për të na bërë presion ne, për ti bërë presion qytetarëve shqiptar.

Megjithatë, Rilindjes nuk ju deshën shumë, por fare pak muaj për t’ju vërtetuar me zë dhe figurë e gjithë akuza që ne e bërtitëm gjatë fushatës së 2017. Nuk dua ta përdor këto foltore për të kthyer edhe një herë në vëmendjen tuaj nga kjo foltore me zë dhe me figurë u vërtetuan se ministra, deputetë, kryetarë bashkishë, madje edhe vetë kryeministri rilindas si i lidhur me grupe të strukturuara me grupet kriminale falë të cilave gëzojnë edhe pushtetin qorr që kanë sot, megjithatë padyshim do të ulërasë përpara jush disa fakte që na bëjnë të reagojmë sot, të reagojmë tani, pasi nesër mund të jetë shumë vonë.

Janë 367 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për lotarinë amerikane, 27500 shqiptarë që kërkojnë azil dyerve të Evropës, qindra mijëra të tjerë që janë larguar ilegalisht nga Shqipëria, ndërmjet tyre vajza e djem të rinj që kanë rrezikuar edhe jetët e tyre duke u vendosur në rrotat e kamionëve vetëm dhe vetëm që të lënë Shqipërinë një orë e më parë. Pse? Sepse këta të rinj dhe të reja, 79% e të cilëve thonë që duan të ikin nga Shqipëria, përballë kanë një klikë mafioze e cila nuk mendon për ta, por mendon vetëm se si të pasurohet dhe si të majmet akoma dhe më shumë.

Përballë qytetarëve të thjeshtë është Edi Rama, ai kryeministër që nuk di të punojë, që nuk ka punuar asnjëherë, por di ama që të kthehet në një simbol të dhunës dhe të shkatërrimit. Falë kësaj qeverie që ne kemi sot, mund të themi që shqiptarët janë edhe më ta papunë, më të varfër, falë kësaj qeverie mbyllen shkolla, vritet dija, keqtrajtohet mësuesi, kërcënohet studenti. Falë kësaj qeverie spitalet kanë mbetur pa mjekë, pa ilaçe, pa pajisje sepse paratë tona, paratë e taksa të shqiptarëve përdoren për koncesione koruptive si ai i Check-Up, falë kësaj qeverie shqiptarët janë më të varfër.

Madje e dini për familjet në nevojë, për ato që merrnin ndihmë sociale, kryeministri nuk ka lekë nga buxheti i shtetit tu japë 70 mije lekë, që nuk mjaftojnë as për bukë, ama për xhepat e tij ka para mjaftueshëm për të bërë tendera dhe koncesione nga 40 e ca milionë euro, fundi i të cilëve nuk dihet se ku shkon. Sot paguajmë 2-3 herë taksa, sot kemi çmime të rritura të ujit dhe dritave, të karburantit, e megjithatë bizneset po mbyllen dhe investime nuk ka, sepse kryeministri edhe shkollat, edhe teatrot i bën me PPP, mendjen e ka që ndaj qytetarëve të thjeshtë të ushtrojë dhunë e ti arrestojë si të ishin barbarë.

Një kilometër rrugë e Unazës së Re do të kushtojë 22 milion euro. Janë 1 mijë familje të cilat po nxirren në rrugë, në mes të shiu, në mes të të ftohtit dhe për ta nuk ka asnjë cent. Janë banorët e Unazës së Re, të cilët janë heronjtë e sotëm, janë banorët e Unazës së Re të gjithë shqiptarët e sotëm, që po ngrihen jo vetëm për vetën e tyre, por më besoni për të gjithë shqiptarët.

LSI është parti e shpresës, është parti e të rinjve, është partia që qytetarët i sheh në sy dhe kur thotë PO, po-në di ta bëjë realitet. Asnjëherë më shumë se sot shqiptarët nuk kanë pasur nevojë për ne, për punën që ne jemi të zot të bëjmë, por mbi të gjitha për aksionin që ne jemi të zot të ndërtojmë. Nëse qytetarët na shohin në sy dhe besojnë te ne, shpresojnë te ne, ne nuk duhet në asnjë mënyrë ti zhgënjejmë. Ne duhet të jemi të parët në përballje, të parët në aksion, të parët që u takon ti themi shqiptarëve që mund ta rikthejmë shpresën dhe besimin që Shqipëria nesër do të jetë vërtetë shtëpia jonë, shtëpia e fëmijëve tanë, shtëpia e besimit tonë, shtëpia ku mund të jetojmë të lumtur.

Padyshim që ne e kemi një plan, kemi dhe ide, por kjo qeveri nuk përballon dot as plane dhe as ide. Kjo qeveri ka nevojë për vepra, ka nevojë për veprim, ka nevojë për aksion dhe ne duhet të dalim në rrugë dhe ti themi këtij kryeministri “Stop! Ditët tona janë tonat, janë të shqiptarëve, nuk janë të tuat që të luash me to dhe ti përdorësh si ta ka qefi ty.” Ndaj duke përfituar nga ky komunikim i sotëm, unë dua t’ju bëj me dije dhe t’ju them nga zemra ime se një grusht njerëzish guximtarë nuk mjaftojnë për ta ndryshuar këtë realitet. Duhet të jemi të gjithë ne, 10 herë më shumë se ne, të gjithë anëtarët, të gjithë miqtë, të gjithë ata që kanë punuar ndër vite me ne që të dalim në rrugë, të jemi bashkë me banorët e Unazës së Re, të jemi bashkë me ata që mbrojnë teatrin, të jemi bashkë me naftëtarët, të jemi bashk me minatorët, të jemi bashkë me këdo qytetar që sot si çdo qytetar i gjithë botës proteston dhe proteston për të drejtat e tij. Dhe sot në Shqipëri nuk protestohet më për luks, nuk protestohet më për karburant e as për drita. Sot kemi arritur në ditën që protestohet për të pasur një strehë që e kemi ndërtuar me mund dhe me djersë në 28 vite.

Ndaj miq ky takim i sotëm është shumë i rëndësishëm për kushtet në të cilat është zhvilluar. Është në detyrën tonë që pasi të dalim që këtu, çdokush të kthehet në organizatën e tij, të punojë me përkushtim, të takojë të gjithë miqtë që ka punuar më parë. Është detyrë e rëndësishme për LRI-në të organizohet dhe në datën 1 dhjetor, të zhvillojë një takim të suksesshëm me mesazhe me frymëzim për të gjithë të rinjtë e tjerë.

Është e rëndësishme për të gjitha zonjat e LGI që në datën 8 po ashtu të ketë një takim të jashtëzakonshëm me mesazh edhe në shërbim të të gjitha grave dhe zonjave shqiptare. Është e rëndësishme të kuptojmë që ky është momenti që të punojmë si një ekip i vetëm me një qëllim të vetëm në mendje, t’u shërbejmë qytetarëve dhe me zemër ta kthejmë këtë shtet në funksion të tyre.

Ndaj duke iu falënderuar për pjesëmarrjen në këtë takim, ju ftoj që nga çasti i parë që do të dalim nga kjo derë, të mblidhemi, të ftojmë, të punojmë dhe të bëhemi shumë te Unaza e Re, shumë në çdo protestë në Shqipëri dhe shumë për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo klikë mafioze që po e drejton.

Faleminderit shumë për pjesëmarrjen, punën dhe për të gjithë angazhimin tuaj.