Mehmet Biçaku: “Më 24 qershor ftojmë PD-në në festën tonë”

454
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryetari i Partisë Socialiste për qytetin e Librazhdit, Mehmet Biçaku

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Kryetari i Partisë Socialiste për qytetin e Librazhdit, Mehmet Biçaku flet me superlativa pozitive për fushatën zgjedhore që po bën PS-ja në këtë qytet duke mëshuar fort edhe në organizmin dhe programin që po shpalos e majta, me bindjen se më 23 Qershor vota do t’i shpërblej ata. Ndërsa lidhur me incidentin, ku u dhunuan zyrat elektorale të PD-së, ku kjo e fundit ka akuzuar aktivistë të PS-së, Biçaku shprehet se, asgjë nuk është e vërtetë, por thjeshtë zhurmë nga frika e humbjes së mandatit të tretë.

Z. Biçaku jemi në kulmin e fushatë elektorale dhe ne duam të dimë si po vijon fushata e Partisë Socialiste në qytetin e Librazhdit?

Është e vërtetë që fushata ka arritur kulmin pasi dhe 13 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Ajo që unë dua të them është se fushata deri tani jo vetëm në qytet, por në të gjithë rrethin e Librazhdit përfshi komunat dhe fshatrat është e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident. Sigurisht, shpresojmë që deri në fund të kemi një fushatë pa probleme.

Ju thoni se deri tani nuk ka pasur asnjë incident kur jo me larg se dje strukturat e PD-së, të Librazhdit bënë një denoncim në organet kompetent, ku akuzojnë aktivistë e PS se kanë dhunuar zyrat e tyre elektorale?

Na ka indinjuar rasti i djeshëm i PD-së, ku kanë deklaruar se është vënë dorë te zyrat e tyre elektorale. Por nuk është aspak e vërtetë që anëtarët tanë të kenë grisur posterat e tyre. Edhe pse zyrat elektorale janë ngjitur me njëra-tjetrën nuk ka pasur asnjë ofendim, por ata mundohet të bëjnë nga pak zhurmë pasi e kanë nga humbja e thellë që po e shikojnë çdo ditë te qytetarët e Librazhdit. Por unë kam një mesazh për ta, prandaj u them të afrohen me qytetarët, të bëhen autokritikë për ato shqetësime që ju kanë krijuar deri tani, sepse tani kanë rastin të bëjnë një fushatë europiane dhe jo me trillime.

A është e organizuar PS-ja e Librazhdit dhe çfarë i premton ajo elektoratit të vetë?

Së pari organizimi i Partisë Socialiste për qytetin e Librazhdit është në kufijtë e fundit të fitores. Kjo për t’i kthyer qytetit të Librazhdit garancinë për një jetë normale dhe evropiane. Këtë e faktojnë 140 takimet që janë bërë deri tani, pasi ne e kemi filluar fushatën që më 20 tetor. Në këto takime gjunjë më gjunjë me qytetarët është premtuar që me rilindjen shqiptare të rilindë dhe një Librazhd i ri, për t’i zgjidhur problemet e punësimit për një brez të ri të shkolluar dhe europianë. PS e Librazhdit në zbatim të programit për një Rilindje shqiptare ju premton dhe ju garanton qytetarëve 360 vende pune, gjë që çon në minimizim e problemeve sociale që ka aktualisht sot ky qytet ka. Së dyti me programin tonë kemi parasysh që arsimi e shëndetësia nuk do të funksionoj më në krahun politikë, por do të drejtohet nga njerëz specialist të fushës. Në programin tonë do të zërë vend grumbullimi dhe përpunimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale duke ngritur qendra përpunimi dhe grumbullimi në linja me kapacitet të vogël, por bashkëkohorë. Do të vendosim në qendër të vëmendjes edhe problemet sociale. PS është për qytetarët e Librazhdit është për të gjithë ata që deri më sot nuk kanë gjetur zgjidhjen e problemeve të tyre dhe aq më keq që janë mashtruar nga kjo qeveri. Këto objektiva dhe premtime e bëjnë PS-në e Librazhdit që të korri një fitore të pa parë ndonjëherë tjetër.

Cila është pritshmëria e forcës tuaj në Qarkun e Elbasanit?

Me analizat që ka bërë PS-ja ne garantojmë se do marrim 9 mandate në shkallë qarku dhe kemi kënaqësi që nga tre kandidatë që janë nga Librazhdi dy të shkojnë në parlament.

A ka marrë masat e duhura forca juaj politike për të mbrojtur votën?

PS ka marrë të gjitha masat që në qendrat e votimit të ketë siguri dhe qetësi. Zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë sa më normale… dhe më 24 qershor ne ftojmë PD-në, të marri pjesë në festën e fitores tonë.

Cili është mesazhi juaj për të gjithë qytetarët e Librazhdit?

Mesazhi im për të gjithë qytetarët është që të shkojnë të qetë në zgjedhje. Të marrin pjesë masivisht, sepse votojnë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Të mos bëhen pjesë e ndonjë incidenti pa dashje… dhe së fundmi votoni numrin 29 se me të do të rilindin të gjithë.

ELBASAN, BEN BLUSHI: “VETËM FITORJA E PS U JEP SHPRESË TË RINJVE”

Paraditen e se hënës nën një atmosferë elektrizuese kryesuesi i grupit të deputetëve të Qarkut Elbasan, Ben Blushi zhvilloi një takim me banorë të lagjes “5 Maji”. Blushi u shpreh gjatë takimit se, PS do i fitojë zgjedhjet bindshëm. “Kanë mbetur dy javë nga dita e zgjedhjeve dhe këto dy javë kushdo që ka mundësi të mbledhë një votë duhet ta bëjë me çdo kusht. Vetëm fitorja e PS mund t’i japë fund këtij rrënimi e t’u japi shpresë të rinjve e të rejave. Ne do e kthejmë Shqipërinë në vendin e punës, e do e çlirojmë këtë vend nga korrupsioni. Është korrupsioni ai që ka sabotuar e ka lenë në mjerim ketë vend”, -tha Blushi. Kandidati për deputet u ndal edhe në problemin e ndotjes duke u shprehur se mjafton që çdo natë të dilni në Bradashesh kur ka kohë të kthjellët dhe do të shikoni një re të bardhë mbi qiell. “Nga vota juaj varet e ardhmja e Shqipërisë”, -tha Blushi. Blushi, gjithashtu, ka zhvilluar takime elektorale edhe me fermerë të zonës së Godoleshit. I pranishëm në takim ishte dhe kryetari i Komunës Labinot Fushë, Osman Qosja.

PD, EDUARD SELAMI: “RRUGA QË KEMI NISUR NA ÇON DREJT EUROPËS”

LIBRAZHD/ Kandidati për deputet i Partisë Demokratike për rrethin e Librazhdit, Eduard Selami i shoqëruar nga Kryetarja e Gruas e këtij rrethi, Luljeta Boriçi dhe nga kryetari i shtabit elektoral i Komës Qukës, Hymer Blloshmi ka kryer një sërë takimesh në këtë komunë. Selami takimin e parë e ka filluar në fshatin Kakvec e më pas ka vijuar në Dritja, Fanjë, Gurrë dhe në orët e mbrëmjes në fshatin Bërzeshtë të Komunës së Qukësit. Ndërkohë që gjatë takimeve të mbajtura kandidati për deputet është njohur me problemet e banorëve të zonës, probleme të cilat janë kryesisht në bujqësi, blegtori dhe në infrastrukturë. Selami iu premtuar atyre zgjidhjen e tyre sapo të fitoj mandatin si deputet, ndërkohë që ka kërkuar mbështetjen maksimale për Partinë Demokratike duke i ftuar banorët e kësaj komune që të votojnë PD në numrin 44, pasi sipas Selamit rruga që Shqipëria është futur është një rrugë evropiane. “Vota e 23 Qershorit është shumë e rëndësishme, sepse duhet që PD-së t’i japim mandatin e 3-të, ku unë jam i sigurt se ne do ta fitojmë atë për të ecur drejt rrugës që ne kemi nisur dhe shqetësimi se a do të ketë apo jo zgjedhje të lira e të ndershme është një iluzion i krijuar nga krahu kundërshtarë, sepse në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike”, përfundoi Selami.