Mehdi Pogaçe:“Persona, që nuk janë përfaqësues të ish-ushtarakëve spekulojnë për të drejtat tona”

516
Intervistë me Mehdi Pogaçe, President i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë
Sigal

Ditën e djeshme u zhvillua takimi i Kryetarit të PS-së, Edi Rama me ish-ushtarakët, por, siç na tha Mehdi Pogaçe, Presidenti i Shoqatës të Ushtarakëve në Rezervë, në intervistën për “Telegraf”, menjëherë pasi u zhvillua takimi i Edi Ramës me ish-ushtarakët, shoqata e tyre nuk kishte një ftesë zyrtare dhe se në atë takim, u ftuan persona që nuk kanë lidhje me ish-ushtarakët, të cilët spekulojnë e flasin në emër të ish-ushtarakëve, duke shpërdoruar të drejtat e tyre.

-Zoti Pogaçi, PS-ja  zhvilloi sot (dje) në ambientet e 15-katëshit një takim me ushtarakë të liruar. Përse ju personalisht nuk ndodheshit në atë takim dhe a kishte të tjerë nga shoqata e juaj?

– Në atë takim morën pjesë ushtarakë, më tepër në pension pleqërie, të njoftuar në mënyrë shoqërore, nëpërmjet deputetëve të PS-së, apo funksionarësh të ndryshëm të kësaj partie. Siç e vutë re, në atë takim, nuk u morr asnjë angazhim konkret për ushtarakët, në një qeverisje të mundshme, pas 23 Qershorit, por u fol në tërësi për probleme të shtetit dhe të kategorive të tjera. Të them të drejtën, ushtarakët prej vitesh kanë shprehur keqardhjen e tyre, si për kohën kur PS-ja ka qenë në opozitë, por edhe për kohën kur ajo ka qenë në pozitë. Vetëm në Tiranë, ka mbi 10 mijë ushtarakë në rezervë dhe në pension, pa llogaritur këtu veteranët e LANÇ-it. Në programet e veta PS-ja, por edhe në Konventën e fundit, foli konkretisht për masën e pensionit të të përndjekurve, apo për ndërtimin e memorialëve për ish të përndjekurit, ndërsa, kur është fjala për ushtarakët në rezervë nuk merret asnjë angazhim konkret, apo për veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës nuk ka asnjë të dhënë konkrete, por vetëm terma të përgjithshëm. PS-ja harron se të përndjekur tashmë janë vetëm ushtarakët në rezervë, të cilët mbahen me një pension minimal, ashtu siç mbaheshin ushtarakët në pension të plotë gjatë qeverisjes së mëparshme socialiste.

 –Zoti Majko foli aty se, dikur ushtarakët merreshin shembull nga kategoritë e tjera për pensionet e larta, si dhe për miratimin e ligjit të vitit 2005. Cili është qëndrimi i juaj?

 – Zoti Majko foli, por më mirë të mos kishte folur, sepse, si dy herë kryeministër i Shqipërisë dhe dy herë Ministër i Mbrojtjes, nuk ka bërë asnjë gjë për ushtaraket, përveçse për kategorinë e pilotëve. Gjatë periudhës se tij,  vetëm janë miratuar ligje, por asnjë prej tyre nuk është zbatuar. Ekzistonte ligji nr. 8087 i vitit 1996 i korrigjuar në vitin 2009, por asnjëherë ai nuk u zbatua në termat reale të tij. Në 23.3.2004 u miratua statusi i ri i ushtarakut, ose ligji nr. 9210, në një kohë që kishte një status ushtaraku të vitit 1991, por asnjëherë të zbatuar. Statusi i vitit 2004 kërkonte nxjerrjen brenda 6 muajsh të akteve nënligjore për t’u zbatuar, por  ato akte asnjëherë nuk dolën dhe në 20.5.2005  në prag të zgjedhjeve, për të mos zbatuar statusin, miratuan ligjin nr. 9418 dhe pas kësaj, qeveria Berisha, vazhdoi të njëjtën odise, duke miratuar ligje, duke i kontestuar ne si Shoqatë, e duke arritur te Akti Normativ, ligji më i zi i bërë ndonjëherë për ushtarakët, punonjësit e policisë së shtetit, punonjësit e shërbimit informativ, Gardës së Republikës etj. Pra taktikat e ndjekura, si nga qeveritë e majta dhe ato të djathta, kane qenë të njëjta, mirato ligje, por mos i zbato ato, ose mbill e mos korr.

 -Nuk iu përgjigjet pyetjes sime perse nuk morët pjesë në takim, ju dhe shoqata e juaj?

 – Jua shpjegova në fillim se muajt e fundit PS-ja, preferon të bëjë takime në bazë njohjesh e miqësish personale të deputetëve apo funksionarëve të ndryshëm partiakë me ushtarakë të ndryshëm, por jo nëpërmjet shoqatës, pasi ne kemi vënë kushte në arritjen e një marrëveshje konkrete, e cila do të përcaktonte dhe konsakronte detyrimet dypalëshe, para e pas zgjedhore. Ju e vutë re që nuk u mor asnjë angazhim konkret, prandaj PS-ja i leverdis të organizojë takime të këtij kuadrati dhe jo takime të organizuara me plane konkrete. Ushtarakët janë mjaft të vëmendshëm ndaj këtyre zhvillimeve dhe shprehin pakënaqësinë e tyre.

 Çfarë mendoni të bëni në të ardhmen si shoqatë?

– Ditën e hënë, më 8 Prill, ditën e 17-vjetorit të themelimit të shoqatës, Bordi Drejtues ka vendosur të thërresë Këshillin e Përgjithshëm të Shoqatës, ku do të diskutohen të gjitha problemet e shfaqura deri më sot dhe do të merren vendime politike për marrëveshje dhe mbështetje konkrete me parti, që do të marrin angazhime me shkrim, nëse PS-ja do të vazhdojë me këtë qëndrim ndaj ushtarakëve.

– Faleminderit!

 Rama me ish-ushtarakët: “Vota juaj, arma për të luftuar për të drejtat”

Në një tryezë me ish-ushtarakët, kryetari i socialistëve Edi Rama kërkoi votën e tyre më 23 Qershor, duke theksuar se, “vota është sot arma për të luftuar për të drejta dhe për t’u përpjekur bashkë me të tjerë, që t’i hapet rrugë realizimit të shpresave dhe të ëndrrave”.