Mediu: Të domosdoshme listat e hapura dhe votimi elektronik

621
Në një takim me strukturat e partisë së tij në Shkodër, kryetari i PR, Fatmir Mediu, ka thënë se prioriteti numër një i opozitës duhet të jetë reforma zgjedhore, e cila duhet të parashikojë votime me lista të hapura dhe numërim elektronik. “Qeveria e pazareve PS-LSI, apo prishja e pazareve të tyre nuk mund të jenë shpresa e së djathtës. Reforma zgjedhore dhe vetëm reforma zgjedhore, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është detyra numër 1 e opozitës. 
Prandaj nuk mund të humbasim asnjë çast për të garantuar votën e lirë nëpërmjet votimit dhe numërimit elektronik, si dhe t’i japim të drejtën votuesve të gjykojnë me votë se kush duhet të jetë deputetet në Kuvend. Unë shpreh bindjen time të palëkundur se Partia Republikane do ketë deputetin e saj në Shkodër”, deklaroi Mediu. Gjatë takimit, Mediu bisedoi me drejtuesit lokalë edhe mbi gjendjen e rëndë ekonomike në vend. “Shqipëria është zhytur në një krizë të rëndë ekonomike me pasoja sociale afatgjata dhe të rënda për familjet dhe biznesin. Shteti i pretenduar ligjor është zëvendësuar me krimin e lidhur me pushtetin që gjobit biznesin. Reformat janë vetëm konçesione me paratë publike për përfitime korruptive”, tha Mediu.
Sigal