Mediu në Dibër: Sot koha për t’u ndarë nga varfëria dhe krimi shtetëror

465
Kryetari i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu, mori pjesë në hapjen zyrtare të fushatës të koalicionit të djathtë për bashkinë e Dibrës, ku edhe u prezantuar kandidati i Partisë Demokratike, zoti Sherefedin Shehu. Duke vlerësuar maksimalisht figurën e Sherefedin Shehut, si të politikanit, qytetarit dhe të familjarit të përkushtuar, Mediu u shpreh se në asnjë mënyrë Dibra dhe dibranët duhet të pranojnë t’i nënshtrohen aleancës së varfërisë dhe të hashashit. Në fjalën e tij, Mediu theksoi gjithashtu se Dibra me votën e saj, duhet të jetë një sinjal i fortë për të gjithë Shqipërinë, nëse duam të ndahemi nga varfëria, nga krimi shtetëror, nga përbuzja dhe shpërfillja qeveritare.
Fjala e plotë e Mediut: 
Të dashur motra dhe vëllezër dibranë
Eshtë kënaqësi të jesh sot mes jush, njerëzve të lirë, që vijnë këtu me shpirtin e tyre, me forcën dhe kurajon e tyre për të filluar atë urgan të madh ndryshimi, që ka nevojë Shqipëria.
Kam nderin dhe kënaqësinë e vecantë, jo vetëm të flas si përfaqësues i Partisë Republikane, por dhe në emër të gjithë kolegëve të mi, të koalcionit të madh opozitar, të bashkimit të Shqiptarëve, të të gjithë atyre që u sakrifikuan nëpër burgjet e komunizimit, të gjithë atyre partive që në themel të tyre kanë lirinë, individin, respektin dhe dinjitetin, familjen dhe kombin.
Të dashur motra dhe vëllezër, të nderuar dibranë!
Ju jeni njerëz të mençurisë dhe të punës, të besimit dhe të traditës, jeni njerëz të respektit dhe të nderit. Ju keni bërë historinë e Shqipërisë, keni qenë themeluesit e shtetit shqiptar; keni lidhur besën për të ndërtuar një komb shqiptar i cili të lulëzojë; keni qenë ajo trevë e Shqipërisë që ka bërë histori, që i ka mundësuar Tiranës dhe vendeve të tjera, njerëz intelektualë dhe të ditur, njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar. Prandaj unë kam nderin dhe kënaqësinë e vçantë, ti drejtohem në radhë të parë mikut tim Sherefedin Shehut dhe bashkëshortes së tij. E di që padyshim është një sakrificë e madhe për ta, por sakrifica në emër të njerëzve të ndershëm të Dibrës, sakrifica në emër të Shqipërisë, duhet të jetë detyrim i gjithësecilit nga ne, prandaj unë e falenderoj Sherefedinin, i cili ka bashkuar jo vetëm dibranët, ka bashkuar jo vetëm politikën e djathtë, por ka bashkuar shqiptarë dhe dibranë, këtej e matanë kufirit; ka bashkuar të majtë dhe të dhjathtë.
Sherefedin Shehu, nuk është thjesht përfaqësues i Partisë Demokratike. Sherefedin Shehu është përfaqësuesi i njerëzve të lirë, i mendimit intelektual; Sherefedin shehu është përfaqësues dhe i atyre të majtëve të cilët ndjehen po ashtu të përbuzur, të shpërfillur, të varfër, të ndarë nga fëmijët e tyre.
Të dashur motra dhe vëllezër
Unë kam kënaqësinë ta quaj veten mik të Sherefedinit, por kam bindjen që Sherefedini, si një familjar i mrekullueshëm, tani familjen e tij do të ketë Dibrën, cdo të ri dhe të re të Dibrës, cdo burrë dhe grua, çdo të moshuar. Me respekt maksimal karshi tyre, jo duke i përbuzur, jo duke i fyer, jo duke i përjashtuar, por duke i bërë pjesë të rrugës së tij.
Kam bindjen së Sherefedini do të trokasë në zemër të cdo dibrani, të dëgjojë me vëmendje hallet dhe problemet tuaja dhe kam bindjen se është një nga njerëzit më të aftë për të ndërtuar një bashki që t’i shërbejë cdo qytetari të Dibrës. Ky është Sherefedin Shehu.
Të dashur motra dhe vëllezër
Sherefedin Shehu po ashtu ka një vlerë tjetër. Në të gjithë këto 25 vite mund të çmohet si një nga politikanët dhe shtetarët më të zotë dhe më të ndershëm. Ka qenë një nga iniciuesit e projekteve më të mëdha të zhvillimit të këtij vendi, në bashkëpunim me inistitucionet ndërkombëtare financiare dhe ky është një aset tjetër, i cili nuk shkon thjesht për Sherefedinin, por për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për Dibrën.
Para disa ditësh këtu në Dibër ishte edhe koalicioni i varfërisë dhe i hashashit, i lidhur me lloj lloj njerëzish, të vendosur në rresht, për shkak të dhunës dhe të frikës. Kishte nga të gjitha takëmet, kishte njerëz nga më të ndryshmit: kishte pazarxhinj; kishte bukëshkalë, njerëz që nuk duan dinjitet, por duan t’i shikojnë dibranët nën këmbët e tyre, ashtu sic duan të vendosin nëpërmjet varfërisë dhe frikës, gjithë shqiptarët nën këmbët e tyre.
Por miku im, Besnik Mustafaj tha: Ne e vramë frikën në 1990, prandaj ka ardhur koha që me kurajo dhe me besim, duke u lidhur me njëri tjetrin, të përballemi në këtë fushatë, jo vetëm për Sherefedin Shehun kryetar Bashkie, por të përballemi për çdo shqiptar, që do një qeverisje të drejtë. 
Edi Rama u tha se ka 3 vjet që negocion për Rrugën e Arbrit. Ne e filluam rrugën e Arbrit. Mbi 60 milionë euro u hodhën, por u lanë në harresë. Këta kanë 3 vjet që negociojnë me Kinën. Me pak fjalë ju thanë ju dibranëve: Për të shkuar në Tiranë, duhet t’i bini nga Kina. Ky është Kryeministri Ynë.
Këtu janë organizuar të gjitha strukturat e shtetit dhe strukturat kriminale, për t’ju ulur juve kokën poshtë. Prandaj të dashur motra dhe vëllezër, ne duhet t’i shtrojmë disa pyetje vetes sonë sot. Sot dhe vetëm sot, ne jemi njerëz që kemi besuar te vullneti dhe kurajo e jonë, jemi njerëz që besojmë se zoti na i ka dhënë të drejtat tona dhe nuk mund të na i marrë as Edi Rama dhe as shpura e tij. Jemi njerëz që besojmë te liria jonë dhe te vota jonë. Prandaj duhet të nxjerrim për të votuar cdo qytetar të Dibrës, të votojë për dinjitetin, për ndershmërinë dhe jo matrapazët, pazarxhinjtë dhe kriminelët.
Ne sot kemi disa pyetje: A do ta pranojmë ne varfërinë apo të ngrihemi sot për ta luftuar atë? A do të pranojmë që të ulim kokën përballë krimit shtetëror dhe krimit të banditëve që duan të marrin peng të ardhmen e fëmijëve tanë, familjeve tona, Dibrës dhe mbarë Shqipërisë? Jo sot do të ngrihemi për mbrojtur dinjitetin tonë.
A do të pranojmë ne që të na vendosin cmim për votën që të na kthejnë sic kanë kthyer politikën në pazarine e gjësë së gjallë, të na kthejnë të gjithëve si njerëz pa vlerë? Jo motra dhe vëllezër. Sot ngrihemi për t’i thënë jo, se vota jonë nuk ka çmim, se nuk kanë cmim as fëmijët tanë, nuk kanë çmim as familjet tona, nuk ka çmim Dibra, nuk ka cmim Shqipëria.Pra ne duhet të bashkohemi të gjithë sot dhe të vendosim jo vetëm për Dibrën, por për mbarë Shqipërinë.
Unë dua t’i them zoti Rama: Po, Sherefedin Shehu, është vërtetë njeri i mirë! Të jetosh me nder, si Sherefedini është vlerë për Dibrën, është vlerë për të gjithëne. Por të plakesh pa të ardhur mosha, duke përbuzur njerëzit, duk i fyer ata, është padyshim fatkeqësi e madhe. Por ne nuk mund ta shërojmë dot nga kjo lloj fatkeqësie. Ne duhet të bashkohemi me të mirën dhe për të mirën.
Të dashur motra dhe vëllezër,
Historikisht Dibra ka lidhur besë, me nder dhe dinjitet për të bërë atë që është më e mira për Shqipërinë. Ka ardhur koha që të lidhni besë me njëri-tjetrin, “Kanë lidhur besë, o kanë lidh tanë
hajnave Dibrën kurrë mos me a u lanë”
Zoti e bekoftë Dibrën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Sigal