Mediat në SHBA, pasqyrojnë gjerësisht protestën anti qeveritare në Tiranë

633
Sigal

Nga Beqir SINA – New York

NEW YORK NY: Mediat këtu në SHBA, e kanë pasqyruar gjerësisht një protestë paqësore, që u mbajt në Tiranë, e udhëhequr nga opozita kundër qeverisë Rama, që sipas tyre, ka kërkuar largimin e Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Të parat që njoftuan për protestën e thirrur nga opozita në Shqipëri, ishin mediat amerikane online – portalet e tyre, Fox-news, Washington Post, CNN, New York Times, Herald-online, USA Today – online – Sant Antonio news, Los Angelos Times, Boston Globe, dhe Chicago Tribune online, që kryesisht të gjitha i referohen agjencisë prestigjioze të lajmeve me bazë në New York, Associated Press. Gazeta Amerikane Washington Post, me titullin: “Opozita shqiptare mblidhet për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë”, nënvizon se mijëra mbështetës të opozitës bënë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar. “Mbështetësit e udhëhequr nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, marshuan përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke thirrur “Rama ik!”. Ata mbanin postera anti-qeveritarë dhe flamuj shqiptarë dhe të SHBA, e Bashkimit Evropian, ndërsa disa hodhën gurë dhe objekte të forta drejt ndërtesës së kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme”, thekson Washington Post. Lajmi i gjigantit televiziv amerikan CNN online për protestën, mban titullin: “Mijëra mbështetës të opozitës shqiptare zhvilluan një protestë anti-qeveritare më 26 maj 2018 në Shqipëri”. Kurse, Portali i Herlad (www.heraldonline.com) ka zgjedhur si kryetitull: “Opozita në Shqipëri, kërkon që Kryeministri Edi Rama, të japë dorëheqjen së bashku me Ministrin e Brendshëm”, teksa shkruan se opozita në Shqipëri, ka mbajtur një protestë anti-qeveritare, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar. Një ndër Televizionet më të shikuara në SHBA, Fox – news, televizioni më konservator dhe “zë i fortë” i Republikanëve, këtu në Amerikë, në edicionin e tij online www.foxnews.com, me titull :’”Tubimi i opozitës në Shqipëri kërkon dorëheqjen e qeverisë Rama”, thotë: “Më 26 maj 2018 në Tiranë, Shqipëri – mijëra mbështetës të opozitës shqiptare kanë mbajtur një protestë anti-qeveritare duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin ata akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar”. Po ashtu edhe USA Today – edicioni i saj online flet për protestën duke thënë se mijëra mbështetës të opozitës shqiptare mbajtën një protestë anti-qeveritare duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Mediat amerikane duke i bërë jehonë protestës së opozitës këtë të shtunë, në edicionet e tyre online të gjitha shkruajnë se protestuesit të drejtuar prej liderit konservativ Lulzim Basha marshuan përgjatë bulevardit kryesor të kryeqytetit Tirana me thirrjet “Rama ik!”. Gjatë protestës sipas tyre në Tiranë, janë vënë re, edhe prania e flamujve shqiptarë, të SHBA-së, dhe atyre të Bashkimit Evropian, shkruajnë ato. Ndërsa, duke folur në brendësi për protestën, ato thonë: “Protestuesit gjuajtën me objekte të forta në drejtim të zyrës së Ramës dhe ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, ndërsa policia përdori shkopinjtë e gomës, dhe vendosi barrikadat me rrjeta hekuri përballë protestuesve”. ‘Ka vetëm një rrugëdalje, kjo qeveri duhet të largohet dhe kjo vjen vetëm përmes bashkimit popullor’- ka deklaruar kreu i opozitës në Shqipëri, zoti Luzim Basha, cituar nga Fox news online. Media amerikane online shkruajnë se disa prej protestuesve rrëzuan mbrojtëset e ndërtesës së ministrisë së Brendshme, barrikadat me rrjeta hekuri të vendosura në shesh, dhe shpesh herë tentuan të çajnë kordonin e policisë, e cila tha Drejtori i Përgjithshëm i saj, Adri Veliu tregoi shumë maturi dhe profesionalizëm, sipas tij. Mirëpo, shkruajnë mediat amerikane, demokratët kanë publikuar edhe pamje të përgjakjes nga shkopinjtë e gomës përdorur nga policia, të kryeredaktorit të gazetës së tyre Rilindja Demokratike, Blendi Kasmi, i cili mbeti i plagosur së bashku me dhjetëra policë e protestues. Megjithatë, pavarësisht rasteve sporadike të dhunës protesta përfundoi në mënyrë paqësore pas dy orësh, shkruajnë mediat amerikane, duke iu referuar kryesisht të gjitha agjencisë prestigjioze të lajmeve me bazë në New York, Associated Press. Nga ana tjetër edhe BBC, DW, VOA, dhe Aljazeira , duke iu referuar lajmeve nga Tirana e kanë pasqyruar protestën e opozitës ku bëhej thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, të cilët i akuzojnë për lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri.