Mediat greke: Të martën Kocias viziton sërish Tiranën

588
Vetëm pak ditë pas vizitës në Tiranë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kocias do të kthehet sërish vendin tonë. Mediat greke bëjnë të ditur se kreu i diplomacisë greke do të vijë në Shqipëri ditën e martë. “Protothema” shkruan se Kocias do të nisë të martën pas Pashkëve një vizitë, duke filluar nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe më pas Shkupi. Mediat greke shkruajnë gjithashtu se nuk dihet ende se kush është qëllimi i vizitës dy ditore të Kotizas në vendet e Ballkanit. Për në muajin prill ishte paralajmëruar një vizitë e kryeministrit grek, Aleksis Cipras, në Shqipëri, por duket se ajo të paktën është shtyrë në kohë. Shqipëria dhe Greqia ende nuk kanë një marrëveshje për ndarjen e kufirit detar, ndërsa duket se ka një frenim në kontaktet mes palëve për këtë qëllim. Një dokument strategjik duhej të firmosej nga kryeministrat Rama e Cipras në prill, por tashmë nuk ka një referim konkret se kur kjo mund të ndodhë. Më parë, të dy ministrat dhe stafet përkatëse kanë zhvilluar dy raunde negociatash për përmirësimin e marrëdhënieve, ndërsa palët kanë miratuar edhe grupet negociatore që do të gjejnë një zgjidhje për problemin e ndarjes së vijës detare, pas rrëzimit të marrëveshjes së mëparshme nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Opozita e ka akuzuar qeverinë se ka zhvilluar negociata me Greqinë pa marrë lejen e Presidentit të Republikës.
Sigal