Media meksikane: Ja kush e koordinoi operacionin

591
Kapja e 613 kg kokainë në portin e Durrësit me një kontejner me banane, që pikënisjen e kishte nga Kolumbia, ka bërë jehonë edhe në mediat meksikane, të cilat zbulojnë detaje të tjera në lidhje me prejardhjen e drogës. Media meksikane “Sipse” ka zbuluar se kokaina e sekuestruar nga policia shqiptare i përket një strukture narkotrafiku të lidhur me organizatën “Clan de Golfo”, një ndër më të rrezikshmet në Kolumbi, që ka kontakte me disa porte në Evropë, ku dërgon drogën. “Rreth 613 kg kokainë të kamufluar në një kontejner me banane u zbuluan në portin shqiptar të Durrësit në një operacion të koordinuar nga marina kombëtare kolumbiane, agjencitë ndërkombëtare dhe policia shqiptare”, e nis artikullin media meksikane. “Droga ishte e fshehur në kontejner dhe ishte nisur nga Kolumbia në mes të janarit dhe do të vinte në disa porte të Evropës, përpara se të arrinte në portin shqiptar ku dhe u ndalua. Informacioni i dhënë nga agjencitë pjesëmarrëse në operacion lejuan policinë shqiptare të planifikonte aksionin për ndalimin e drogës në kontejnerin që zotërohej nga një kompani shqiptare. Nga operacioni u arrestuan dy persona: shoferi i kamionit dhe një punonjës i kompanisë. Ndërkohë policia shqiptare shpalli në kërkim pronarin e kompanisë dhe ka hapur një hetim me homologët në Evropë për të identifikuar e arrestuar persona të tjerë në lidhje me ngjarjen”, shkruhet në artikull.



Sigal