Media kundër Ramës

487
Andi Bushati: “Për të kuptuar çfarë qëndrimesh ka Rama për etiketimet, mjafton të kuptosh çfarë i leverdis. Topi ka katër ditë që sulmon Ramën. Ajo zonja që e ka marrë në pronësi, mendon që këta të tjerët po marrin paketën një miliard dollarë, ndërsa mua më lanë ca kioska”.

Mero Baze: “Edi Rama ishte as mish, as peshk, as në anën e gazetarëve, as në anën e pronarëve, as në detyrën e kryeministrit. Ai tentoi të ishte në anën e viktimës së shtypit, që nuk i ka lezet. Nuk është realisht viktimë e shtypit, është produkt i tij. Dhe nëse ndodh të bëhet viktimë, është viktimë e vetvetes dhe mënyrës se si i ka ndërtuar këto raporte”.

Çlirim Peka: “Të shohësh problemin tek “fake news” dhe jo tek kapja e mediave, është t’i shërbesh Edi Ramës. Në Shqipëri “fake news” ka qenë gjithë kohës, sepse mediat kanë bërë lajme për qeverinë. Por kurrë më parë historia shqiptare nuk ka pasur një qeveri pa media opozitare”.

Ilir Babaramo: “Kryeministri tha se një brez gazetarësh duhet të largohen. Kam përshtypjen se ai e ka problemin me atë që e quan “katundi mediatik”. Në një pozitë vulnerabël ai ndihet në një pozitë inferioriteti, sepse para nesh i kujtohen momentet e tij të dobësisë”.

Sokol Balla: “Në Shqipëri të bësh një media në këtë situatë politike duhet të jesh i çmendur. Ata që na shohin mendojnë se problemi janë mediat. Personalisht nuk mendoj kështu. Problemi teorikisht është qeveria, politika”.

Eni Vasili: “E pakuptueshme është përse kjo gjë shqetëson më shumë politikën sesa median. Kryeministri thotë se ka gazetarë të pasur, por kush i bëri të pasur? Nëse kryeministri mendon se ka gazetarë të korruptuar, atëherë korruptuesi është politika. Kryeministri të dalë, të thotë këtij i kam dhënë këtë tender dhe le të bëhet transparencë. Këtu qëndron problemi mes politikës dhe medias”.

Dritan Hila: “Vlahutini kishte bërë seminar për median, ku kishte ftuar kryeministrin, komisionerin Hahn dhe burokratë të administratës dhe OJQ-ve, të cilët jepnin mend sesi bëhet ky zanat, sesa shumë liri kemi dhe sa e ardhme e ndritur na pret. Kjo goca ballkanase paska talent, jo vetëm në negociimin e qirave të shtëpisë, por edhe të organizimit të seminareve. Dhe thonë pastaj që media është gojështhurur”.
Sigal