Media gjermane: A do të krijojë Brukseli një Jugosllavi të re?

481
Shtypi ndërkombëtar analizon zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Samitin e Triestes

Gazeta gjermane “Die Welt”, nën titullin “Pse Brukseli do të krijojë një Jugosllavi të re”, shkruan se një sërë shtetesh në Ballkan duan të jenë pjesë e BE-së, por për shkak se Bashkimi Evropian nuk ia del dot aktualisht të bëjë pranime të reja, ai kërkon që të fitojë kohë, përmes një ideje të lindur më parë në Ballkan. “Presidenti i sotëm, Aleksandër Vuçiç e kishte formuluar: nuk do të ishte më praktike të lidheshin vendet e Ballkanit në një zonë ekonomike të përbashkët? Ky do të ishte hapi i parë për anëtarësim në BE. BE e pranoi me falënderim këtë ide“, shkruan gazeta gjermane, duke e cilësuar unionin doganor si një instrument të mirë për BE që të fitojë kohë. “BE-së nuk i duhet të pranojë anëtarë të rinj, por në të njëjtën kohë ruan influencën e saj në Ballkan.”

“Die Welt” thekson se Ballkani nga ana ekonomike është për evropianët i parëndësishëm, por ai ka rëndësi në kontekstin e historisë evropiane. Kohët e mëdha të zgjerimit kanë kaluar, prandaj prej vitesh po diskutohet si një instrument unioni doganor, një instrument që e çaktivizon fuçinë e barutit me emrin Ballkan dhe nga ana tjetër nuk e detyron BE të zgjerohet. “Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn ka sjellë formulën “Varësi pozitive”, e cila mund të ndikojë në shtensionimin e konflikteve etnike në rajon. Por në fakt kjo do të ishte një rilindje e Jugosllavisë së vjetër, sigurisht vetëm si union doganor dhe transporti. Pa Kroacinë e Slloveninë që janë pjesë e BE. Por këtë herë bashkë me Shqipërinë. Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia -do të kishim pra një union të shteteve pasuese më të varfra të Jugosllavisë. Mund ta kuptosh pse Beogradit i pëlqen një gjë e tillë. Në një konstelacion të tillë, Serbia do të ishte një peshë e rëndë.”

Gazeta gjermane kujton se Jugosllavia e vjetër u shpërbë e sëmurë nga konfliktet e brendshme, sidomos nga rivaliteti mes serbëve dhe kroatëve. “Një union i ri i Ballkanit Perëndimor do të ishte po ashtu bipolar. Atë do ta dominonin 8 milionë serbë në Serbi dhe Bosnje, si edhe 5 milionë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, që do të konkurronin me dhe kundër njëri-tjetrit.”
Sigal