Media e huaj komenton vizitën e Vuçiç: Historike! Mundësi për paqen në rajon

410
Qasjet mund të dallojnë, por një të përbashkët e kanë pothuajse të gjithë artikujt e shtypit ndërkombëtar kushtuar vizitës së Aleksandar Vuçiçit: etiketimin e kësaj ndalese si historike.
Sigal

“Vizita e parë e një kryeministri serb prej 7 dekadash në Shqipëri synon përmirësimin e marrëdhënieve të brishta mes dy kombeve”, shkruan AFP, dhe vazhdon: “Përballja mes dy krerëve të qeverive, e dyta pas 6 muajsh, kur shtrënguan duart në Beograd, do të përqendrohet tek problemet që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit.

Në agjendë është dhe pavarësia e Kosovës, që nuk njihet nga Serbia, apo problemet e minoritetit shqiptar atje. “Duam bashkëpunimin me Serbinë në mënyrë që të përparojmë së bashku në rrugën e paqes dhe integrimit në Bashkimin Europian”, citon agjencia prestigjioze franceze e lajmeve kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Për bashkëpunim flitet edhe nga pala tjetër, e theksuar nga mediat serbe. Disa prej tyre e përmendin vetëm me një fjali të shkurtër tensionimin e marrëdhënieve për shkak të Kosovës, pa hyrë në analiza të gjata të historisë së shkuar të relatave dypalëshe, që kanë qenë pothuajse përherë të vështira.

Fryma është ndryshe këto vitet e fundit, pasojë ndoshta e perspektivës së një të ardhmeje të përbashkët në bllokun europian dhe dëshirës për integrim. Brukseli vetë e ka bërë të qartë se sa më i madh të jetë bashkëpunimi i vendeve të rajonit, aq më e lëmuar do të jetë rruga drejt tij.

I kapërcyer quhet në dukje edhe incidenti i dronit gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri. Në shtypin e huaj thuhet se Vuçiç e pret këtë vizitë me mjaft optimizëm dhe i mëshon idesë se dallimet e qëndrimeve mund të zgjidhen vetëm me dialog.

Ndalesa e kryeministrit serb, e cila vjen në një moment përshkallëzimi të ri të tensioneve në Maqedoni, do të shihet edhe si barometër i vijueshmërisë së marrëdhënieve Shqipëri-Serbi: ajo për mjaft analistë, do të tregojë nëse elitat politike janë vërtet të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të përqendrohen tek marrëdheniet e reja, të cilat sipas tyre, duhet të kenë për bazë projektet e përbashkëta të financuara nga BE./ Top Channel