Me “Rilindjen” shpresa vdes e para

428
Sigal

Denion Meidani

 

Nuk mund të them që ky rezultat elektoral në Dibër ishte një surprizë e
veçantë për mua. Deri diku dhe e prisja. Por, siç thonë, shpresa vdes e fundit,
kurse në rilindje ajo vdes e para, sidomos tek shtresat në nevojë që vetëm
shtohen në numër e rriten në pikëllim. Këta votues, në rastin e Dibrës, nuk
zgjodhën shpresën për një ndryshim orientimi, aq më pak për një të ardhme më
dinjitoze pa gjurmë shukriane. Nuk munguan dhe ata që, mesa duket, preferuan të
shtynë pak ditë më shumë, deri në fund të muajit me thasët e miellit, qofshin
për “bamirësi”, qofshin si thërrime nga tenderë e koncesione abuzive të kohëve
të fundit. Por, sipas disa pjesëmarrësve e vëzhguesve, nuk munguan dhe para
kanabisi, krahas trysnisë së pushtetit dhe frikës së “krimit me këmishë” të
zbarkuar si murtajë në bashkinë e Dibrës. Zgjidhja e shkurtër për të shtyrë pak
ditë më shumë të një jetë të mundimshme, deri të padurueshme, u pa qartazi dje
në sytë e veshur, rrudhat e thella, apo fjalët e belbëzuara me hidhërim të së
moshuarës migjeniane, që pranoi se kishte marrë lekët e ofruara për votën e
saj. U pa kohë më parë tek prekja e dinjitetit qytetar të vajzës së re për të
fituar një vend pune. E shohim përditë tek përkulja servile, deri me ngjyra
çnderuese ndaj arrogancës e dhunës së pushtetit, që ngjason përherë e më shumë
si një togfjalësh e jo një fjalë e vetme… Surprizë nuk ishte por fatkeqësi
po, sidomos në kuptimin e imponim-unifikimit politiko-qeverisës, të ngjyrosjes
gati-gati njëlloj të hartës vendore në Shqipëri! Fitoi qeverisja e parasë, e
dominuar nga mjaft pasanikë të tranzicionit përkundrejt të papërgatiturve apo
atyre që refuzojnë ta shohin situatën për çka është. Fitoi rilindja e ribërë
kohët e fundit, sidomos me fuqizim të koalicionit me PDIU, që po pretendon
poste e përfshirje të shpejtë në “tregun” e partneritetit privat- para publike,
të tenderëve e koncesioneve të parazgjedhura me kujdes mjaft sipër… Mesa
duket, ky koalicion i ri fitoi ndaj një koalicioni të djathtë që, pavarësisht
se solli idenë e një fronti të ri dhe mënyra të reja të deklaruara për
mbrojtjen e votës, ishte ende i pafuqishëm, pse jo dhe i pamësuar për të ndalur
marifetet dhe rrëkenë e ndihmave dhe parave të paligjshme. Por, a u ble
mjerimi? Mos vallë autokombajna e dëshpërimit dhe e premtimeve të mëparshme
zhgënjyese shumëvjeçare korri e shkeli majtas e djathtas mbi vetë këto premtime
të përsëritura pa pikë turpi nga çdo krah i politikës? A mungoi sedra qytetare
e rezistenca politike për t’u përballur me të fortët e të inkriminuarit e
parlamentit të sotëm dhe administratës aktuale, të shpërndarë edhe në Dibër,
pas 3 vjetësh harrese të gjithanshme?! Mos vallë u thye me shpejtësi, me
lloj-lloj presionesh psikologjike, sidomos me atë të punësimit, por, ndoshta,
dhe me mbjellje frike, dhunë e arrogancë, vullneti dhe forca e qëndresës
qytetare? Apo, ndoshta, me të njëjtën skemë si atë të zgjedhjeve të një viti më
parë, atje ku nuk u lëkund votuesi me miell e para, u propaganduara bllokimi i
qeverisjes vendore me ngjyrosje politike të kundërt me atë qendrore? Por, dhe
opozita, nga ana e saj, pavarësisht pretendimeve, nuk e arriti mobilizimin e
duhur, deri duke dëshmuar jo pak dobësi, hezitim e paaftësi. Sidomos për të
shitur ofertën e saj si më të mirën e më bindësen, më zhvilluesen e
demokratizuesen, më të ndershmen dhe qytetaren, dhe, mbi të gjitha, për të
shmangur homogjenizimin e mëtejshëm të ngjyrosjes politike, për të mos lejuar e
bllokuar blerjen por edhe infektimin dhe shtrirjen e tezës antidemokratike të
dorëzimit të qeverisjes vendore për ca fonde pa peshë tek qeveria qendrore.
Pra, në thelbin e vet, edhe kjo fushatë u dominua prej imponimit, arrogancës e
“mobilizimit” rilindës, në funksion të ruajtjes së pushtetit e vazhdimësisë së
tij pikërisht në vitin e fundit të qeverisjes; pse jo dhe për të mbajtur të
mbyllur sytë e mjaft ndërkombëtarëve. Veçse, nuk duhen gjykuar sot ata që u
dorëzuan dhe mos harrojmë se “kafshatë që s’kapërdihet është or vlla mjerimi,
kafshatë që të mbet në fyt edhe të zë trishtimi”!, por të vazhdojmë luftën tonë
emancipuese për të mos t’i lenë ata “ashtu të shtrimë mbrapa, teksa mbesin
gjithë jetën e vet derisa të vdesin”!